Departamenti amerikan i Shtetit nuk sheh rrugë tjetër përpara për Kosovën e Serbinë përveç dialogut.
E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet e Bashkimit Europian, tha një zëdhënës i DASH për REL. I kontaktuar të komentonte mbi kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për Kosovën, zëdhënësi tha se SHBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.
Gjatë fjalimit të tij të shumëtrumpetuar javën që shkoi, Vucic kërkoi riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Komunat në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, aktualisht, udhëhiqen nga shqiptarë, pasi banorët lokalë i bojkotuan zgjedhjet.
Kryetarët serbë, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të komunitetit në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të Prishtinës zyrtare për të zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka bërë deri tani ndonjë koment mbi kërkesat e Vucicit, por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, i cilësoi ato si antikushtetuese.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit i drejtoi gjithashtu një apel Kosovës dhe Serbisë që “të frenohen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre ose që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”.
Top Channel