Komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Christopher G. Cavoli u nderua nga Universiteti Europian i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare përmes lidershipit strategjik, përkushtimit, inovacionit në strategjitë ushtarake dhe frymëzimit të gjeneratave të reja.
Në ceremoninë e vlerësimit të gjeneralit me katër yje ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi nderimin që Universiteti Europian i Tiranës i bëri komandantit suprem të NATO-s, ndërsa shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar bashkëpunimin me aleancën përmes projektit të Porto Romanos.
“Duhet ta dini që nuk kemi anësi kur themi se nuk mund të ishit nderuar më shumë në këtë vend se sa nga ky universitet. Jeni komandant superm në një periudhë shumë kritike në mbarë botën. Të gjithë e dimë se komandanti është një gjeneral shumë i arsimuar me një përvojë të jashtëzakonshme dhe me njohuri shumë të mira rreth Rusisë. Dhe kjo na jep besim të plotë në lidershipin dhe këshillat tuaja.
Vendi ynë është gati për të kontribuar dhe lehtësuar ndërhyrjet e NATO-s në korridorin 8. Bashkëpunimi shkon nga të dyja kahet. Porti do t’i shërbejë NATO dhe i gjithë stafi teknik e ka theksuar këtë fakt dhe bashkë e kemi diskutuar në terma teknikë”, tha Rama.
Presidenti i UET, prof. Selami Xhepa tha se duke nderuar gjeneralin Cavoli, universiteti nderon kontributin e NATO-s, si garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Gjenerali Christopher G. Cavolo e pranoi titullin e UET në emër të të gjitha burrave dhe grave të NATO-s që mbajnë flamurin e shtetit të tyre por i shërbejnë te gjithë botës.
Top Channel