“Po vidhen pasuritë publike”, Berisha sulmon sërish SPAK: Dumanët dhe Krajat armiq të egër të opozitës!

15/09/2024 21:16

Ndërsa vijon “maratonën” e tij të fjalimeve nga dritarja e banesës ku ndodhet nën masën e arrestit, Sali Berisha nuk i ka kursyer akuzat dhe sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë, e konkretisht ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Berisha, duke e quajtur SPAK “Skrap”, tha se qeveria përdor organizatat kriminale, si “Skrapi,” për të mbrojtur krimin elektoral dhe për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit.

Ndërsa tashmë është i pandehur nga SPAK dhe po hetohet për korrupsion, Berisha ka përmendur “vjedhjen masive të pasurive publike dhe lirimin e kriminelëve”, duke thënë se mafia dhe krimi kontrollojnë vendin për përfitimet e tyre.

“Në këtë vend me urdhër të Edi Ramës, lirohen vrasës, çlirohen nga krimet e tyre makabre. Në këtë vend vidhet ditën për drekë në paratë e qytetarëve, dhjetëra, qindra, por ndodh dhe miliarda euro. Pasuritë publike, grabiten, plaçkiten nga soji dhe sorollopi i Edi Ramës dhe ministrave të tij”, deklaroi ai.

Berisha iu drejtua shqiptarëve duke i ftuar që të “të betohen për të çliruar vendin”.

“Dumanët, Krajat këta armiq të egër të opozitës dhe demokracisë sillen njëlloj si paraardhësit e tyre në diktaturës. Skrapi kjo organizatë kriminale është bërë mburojë e krimit elektoral, me qëllimin e vetëm që të sigurojë vazhdimin e pushtetit të krimit. Shqipëria është një vend pa drejtësi dhe me një drejtësi të kontrolluar.

Sot tre drejtuesit kryesorë të opozitës janë të burgosur ose në procese politike, sepse kriminelët e Skrapit të partisë zbatojnë urdhrat politikë të Edi Ramës, i cili nuk mund të fitojë kurrë ndryshe, por vetëm duke burgosur kundërshtarët e tij politik”, tha Berisha nga dritarja e banesës së tij.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA