Bashkimi Europian e përshëndeti vendimin e Prokurorisë së Kosovës për të ngritur aktakuzë ndaj dhjetëra të dyshuarve për organizimin e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zvecanit.
Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, u shpreh se personat përgjegjës për ngjarjen e 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë një polic kosovar, do të përballen me pasoja pasi gjyqësori në Kosovë të shpallë aktvendimin ndaj tyre.
“BE-ja i ka bërë vazhdimisht thirrje Serbisë që të gjithë personat e përfshirët në këtë sulm brutal të nxirren para drejtësisë. Ngritja e aktakuzës do të thotë se procedurat gjyqësore tani do të mund të nisin dhe ne presim të shohim përfundimin e këtij procesi.”, thotë Stano
I pyetur nëse Banjska ishte temë e takimit që ambasadori i BE-së në Beograd pati sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, Stano u përgjigj se BE-ja ia ka përcjellë Serbisë vazhdimisht të njëjtën kërkesë, që ajo të bashkëpunojë plotësisht me hetimet.
“Nuk kemi nevojë për takime të veçanta që të përcjellim qëndrimet e BE-së. Ato dihen dhe janë përsëritur disa herë. Presim që Serbia të bashkëpunojë në hetime për këtë rast dhe, po ashtu, t’i bëjë përgjegjës personat e përfshirë. Këtë ua kemi përcjellë disa herë autoriteteve të Serbisë”, shton ai.
Burime diplomatike brenda bllokut europian rrëfejnë se disa shtete kanë ngritur zërin e janë ankuar për faktin që Beogradi nuk ka bërë asgjë për t’i nxjerrë këta persona para drejtësisë për sulmin e Banjskës, edhe pse dihet fare mirë se ata ndodhen në territorin e Serbisë.
Top Channel