Presidenti i Izraelit Herzog në Memorialin e Holokaustit: Falënderoj kombin shqiptar, vendi juaj na dëshmon se paqja mes njerëzve është e mundur

12/09/2024 19:08

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog e mbylli vizitën e tij të parë në Shqipëri në Memorialin e Holokaustit në Parkun e Liqenit të Tiranës, ku u shoqërua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Presidenti izraelit tha se shqiptarët kanë dëshmuar se paqja mes njerëzve është e mundur.

 “Ky vend ka mbetur një fener i vullnetit të mirë dhe mirësjelljes. Shqipëria na kujton se hebrenjtë dhe myslimanët, bektashinjtë dhe të krishterët, mund të jetojnë së bashku në harmoni dhe respekt të ndërsjellë.”

Kryebashkiaku Veliaj kujtoi rolin e rëndësishëm që luajti Shqipëria gjatë luftës, duke u bërë shtëpia e qindra hebrenjve.

“Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në Evropë ku, pas përfundimit të luftës, numri i hebrenjve ishte shumë herë më i lartë krahasuar me periudhën para luftës. Nëse para luftës në Shqipëri ndodheshin 200 deri 300 hebrenj, pas luftës atje ishin gati 2 mijë hebrenj. Njerëzit erdhën këtu nga ish-Jugosllavia, Greqia dhe vende tjera. Kjo tregon mikpritjen e shqiptarëve që mbrojtën hebrenjtë që ishin me ta”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA