7 muaj pas mbajtjes së Asamblesë së Jashtëzakonshme, ku u vendos shkarkimi presidentes së Urdhrit të Psikologut zonjës Valbona Treska, psikologët i drejtuan një peticion kryeministrit të vendit me subjektin ku i kërkojnë ndihmë që dinjiteti i psikologëve në Shqipëri të vendoset në vend.
Peticioni sipas nismëtarëve mban firmat e 348 psikologëve.
Psikologët firmëtarë deklaruan se kanë depoziturar edhe një kallëzim në prokurori ndaj presidentes Valbona Treska për shpërdorim detyre dhe janë në pritje të përgjigjes nga ana e këtij institucioni.
Urdhri i Psikologut të Shqipërisë numëron rreth 1300 psikologë anëtare të cilët janë aktivë.
E pyetur nga Top Channel presidentja e Urdhrit të Psikologut Valbona Treska u përgjigj se nuk ka as ndonjë proces ligjor te hapur nga ky grupim.
“Urdhri vijon punën me normalitet. Kemi zhvilluar Asamblenë e VIII-të Kombëtare në korrik me normalitet të plotë dhe problemet institucionale që psikologët kanë ngritur si shqetësim nga janari (si psh. pagat e psikologëve shkollorë), janë zgjidhur po në rrugë institucionale në bashkëpunim me ministritë tona të linjës. Disa shqetësime po vijojnë ende të ndiqen.
Nuk është as ligjore as etike që institucioni të vijojë të merret me peticione online dhe problematika që mund t’i kenë vetëm individëve të caktuar për interesa të ngushtë personalë.
Çdo problamtikë zgjidhet institucionalisht! Kërkojmë mirëkuptimin Tuaj, për mosvijimin e përbaltjes së institucionit dhe profesionit, pasi po dëmtohet rëndë puna e një komuniteti shumë të përkushtuar profesionistësh.”
Top Channel