Kreu i ri i qeverisë franceze, Michel Barnier, kërkon shtrëngimin e politikave të emigracionit.
Emigrimi i paligjshëm është në krye të listë së prioriteteve të kryeministrit 73 vjeçar të Francës, që në intervistën e parë televizive të dhënë pas marrjes së detyrës javën që shkoi, u shpreh se “”Kam përshtypjen se kufijtë janë të depërtueshëm si një sitë – dhe se flukset e migracionit nuk janë nën kontroll.
Ne do ta ndryshojmë këtë”. Zbatimi i një politike më të rreptë të imigracionit dhe azilit nuk mund të ndërmerret vetëm nga një ministër i ri i brendshëm. Sipas raportimeve të mediave franceze, Barnier është duke planifikuar të krijojë një ministri të posacme për “Emigracionin, Integrimin dhe Identitetin kombëtar”.
Një departament i tillë do të ishte sinjali politik se konservatori Barnier nga “Les Républicains” po merr drejtimin e tij nga presidenca e Nicolas Sarkozy që bëri bujë jashtë vendit dy dekada më parë me njoftimin se do të “pastronte periferitë”, dhe krijoi një ministri të tillë për herë të parë si president në 2007.
Ishte pjesë e politikës së tij më të rreptë të migracionit – me të cilën Sarkozy ndërkohë kishte arritur të ndalonte ngritjen e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Kombëtar (FN). Si ish-shef negociator i BE-së për Brexitin, Barnier sakaq njeh shumë mirë rregullat e lojës në Bruksel. Ai mendohet se mund të përfitojë nga dinamika politike në Gjermani.
Menjëherë pasi Barnier mori detyrën, ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser njoftoi se do të vendosen kontrolle kufitare dhe se do të ketë “largime të azilkërkuesve në përputhje me ligjin evropian”. Kontrollet do të vendosen me të gjitha vendet fqinje. Në këtë mënyrë forcohet blloku për kontrolle më të fuqishme të kufijve të jashtëm.
Top Channel