“Akuzat për mbetjet toksike, vetëm dyshime”, Rama në Kuvend: Problemin e ka ai i katit të tetë që i shkojnë balerinat poshtë ballkonit e i thonë ‘do tundim belin për ty’

12/09/2024 18:37

Kryeministri Edi Rama nga salla e Kuvendit i është përgjigjur kërkesës për interpelancë nga opozita lidhur me mbetjet e kompanisë Kurum të nisura drejt Tajlandës.

Ai tha mes të tjerash se ka vetëm dyshime, dhe se akuzat janë bërë pa baza, teksa shtoi se është Prokuroria ajo që do të dalë në përfundimin e saktë.

Fjala e plotë:

Jam këtu sot për t’ju përgjigjur kërkesës për interpelancë në shfrytëzim abuziv të rregullores dhe të misionit të deputetit, pas një serie fletë-rrufesh dhe shkrepjesh në ajër të akuzave e fantazive malinje për të vazhduar helmimin e shqiptarëve përmes kanalizimeve të panumërta të botës digjitale. E tillë është edhe kërkesa për këtë interpelancë.

Burimi i kësaj tjetër telenovele politike të fundverës,  që u shfaq paralelisht me atë të ngjarjes së Pogradecit, ku një i vrarë u bë mish i grirë  për gojën e pangishme të politikës së urrejtjes dhe organizmin ripërtypës të tellallëve të saj, ishte një sinjalizim nga jashtë për një transport mbetjesh të rrezikshme nga Shqipëria drejt Azisë.

Vetë organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, të cilës i referohet edhe teksti i vajtueshëm i kërkesës për interpelancë shprehet se ka dyshime për mundësinë, që një sasi mallrash të nxjerra nga procesi i përpunimit industrial në Shqipëri, për t’u transportuar drejt vendeve të Azisë,  janë mbetje të rrezikshme.

Pra dyshime! Asgjë e vërtetuar, asnjë certifikatë analizash, asnjë provë e faktuar ende, po deri më tani vetëm dyshime. Sidoqoftë, qysh në çastin e sinjalizimit, agjencitë ligjzbatuese, i kanë konsideruar këto dyshime, jo vetëm me vëmendjen e duhur, por edhe me vullnetin për të hetuar në bashkëpunim me organet e specializuara europiane.

E ndërkohë që prokuroria shqiptare dhe Agjencia Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF vazhdojnë hetojnë, goja e pangishme e politikës së urrejtjes ka ngritur akuzat dhe ka caktuar fajtorët. Si gjithnjë akuzat janë ekstreme dhe fajtorët janë kriminelët e regjimit imagjinar me mua në krye,  që me këtë rast, jam vënë nën akuzën numër 1.315; duke llogaritur se qyshse ajo gojë shumëtellallëshe merret me mua nga dita që hyra në politikë, më është bërë si rregull një akuzë në javë.

Unë kam kohë që nuk merrem si më parë me akuzat e me tellallët e panumërt të gojës së hapur së fundmi edhe në formën e një shtatëpenxhereje në katin e tetë.

E kam bërë në gjuhë të huaja, së fundmi kur mbetjet toksike të gojës septike janë eksportuar jashtë,

siç ndodhi me programin skifoz të RAI 3-shit e jo vetëm, ku unë nuk dola për të mbrojtur veten në Itali, po për të mbrojtur shqiptarët e Italisë dhe dinjitetin e Shqipërisë nga helmi i asaj goje.  Mjaftohem hera-herës me paditë në gjykatë, ku deri tani goja shtatëpenxherëshe megjithë ca tellallë të zellshëm të saj, janë shpallur shpifës me vendim të formës së prerë dhe gjyqet vazhdojnë.

Por duke qenë se këtu në këtë rast luhet, jo me mua, po me nervat e me ndjeshmërinë njerëzore të shqiptarëve, të cilëve tani po u flitet për Shqipërinë si një gropë mbetjesh të rrezikshme nga ku po dëmtohet edhe shëndeti i Kinës, kam detyrimin që të sjell për publikun disa fakte të thjeshta pastaj sigurisht vetëm hetimi në vazhdim mund të japë një përgjigje konkrete përfundimtare për këto dy rastet të përfolura.

A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti I mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme.

Gjithashtu, praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit,  nga laboratori i një vendi të BE-së, i cili konfirmon deklarimin e subjektit.

Në të dyja rastet atij të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe atij nga Kosova drejt Kinës, mallrat e deklaruara si okside/hidrokside hekuri apo koncentrat zinku, janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me një reputacion të padiskutueshëm në botën e transportit detar

kanë qëndruar e janë magazinuar përkohësisht në vende të Bashkimit Europian, ku askush nuk i ka penguar. Më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre.

Nga verifikimet e proceseve logjistike, të këtyre dy ngarkesave si dhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as në katalogët evropiane mbi të cilat bazohet dhe procedura mjedisore dhe doganore në vendin tonë.

E njëjta gjë vlen dhe nga pikëpamja e legjislacionit portual dhe të transportit detar: këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme prandaj normal si gjithmonë edhe aludimi për mosveprim të administratës portuale apo asaj detare, në rastin më të mirë është alogjik dhe në rastin më të keq siç është dhe ky rast kemi të bëjmë me një aludim psikopatologjik, i artikuluar fatkeqësisht, jo nga institucionet apo organizatat ndërkombëtare, por nga të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike.

Edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme, transporti i tyre në rrugë detare nuk është asesi i ndaluar, as nga legjislacioni kombëtar, as nga ai ndërkombëtar. Përkundrazi, mbetjet teknologjike apo industriale transportohen rëndom në rrugë detare në të gjithë rruzullin tokësor, duke ndjekur procedurat e tyre në anije dhe në porte, në zbatim të kodeve ndërkombëtare detare, të cilat janë të njëjtat edhe në portet shqiptare.

Procedura e eksportit të mbetjeve, qofshin të rrezikshme apo qofshin të parrezikshme, bazohet në dispozitat e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, të cilat janë në përputhje me kërkesat dhe parimet e Konventës së Bazelit, për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre ku Shqipëria është anëtare qysh prej vitit 1999.

Autorizimi që lëshohet për eksport të mbetjeve, qofshin ato të parrezikshme apo qofshin ato të rrezikshme, ka një afat maksimal një vjeçar. Në rast se kompania pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë do të kryejë eksporte të tjera, duhet të paraqesë një aplikim të ri pranë dikasterit përkatës, në këtë rast aktualisht Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Pra, ndjekja e çdo vije logjike pa e psikopatologjizuar vijën mendore të çon menjëherë në përfundimin se autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar, në këtë rast, asnjë autorizim specifik për eksport mbetjesh të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar. E për rrjedhojë,  pretendimi i rrjedhur me diarrenë e gojës së pangishme që nuk paska pasur miratim nga Tailanda dhe kontejnerët e linjës prestigjioze ndërkombëtare qenkan nisur nga Shqipëria vjedhurazi pas Berihait  është po aq i qëndrueshëm sa ç’mund të jetë e qëndrueshme shkarkesa likuide e asaj goje sepse nuk ka si të ketë miratim nga Tajlanda për ngarkesën në fjalë kur vetë Shqipëria nuk ka pasur çfarë autorizimi të japë.

Më tutje akoma, çfarë thonë faktet historike; ngarkesa të deklaruara si të tilla janë pranuar rregullisht nga vendet tranzit dhe nga vendet e destinacionit fundor. Më konkretisht është e dokumentuar e zeza mbi të bardhë, se 360 njësi kontenierike të tilla janë pranuar nga autoritetet doganore të vendeve aziatike në 10 muajt e fundit. Ndërkohë që në 5 vitet e fundit ngarkesa të tilla janë pranuar edhe nga vendet të BE; Spanja, Franca, Belgjika apo nga vende si Izraeli dhe Turqia. Vlen të theksohet se njëra prej këtyre kompanive, aktualisht pjesë e këtij rasti që po hetohet në bashkëpunim me Agjencinë Europiane kundër mashtrimit, ka eksportuar ngarkesa të tilla drejt Spanjës dhe Turqisë.

Vazhdojmë tani me një pikë tjetër të rëndësishme që të kuptojmë se për çfarë flasim dhe çfarë flasin, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme si rëndom. Në çdo rast konventat ndërkombëtare parashikojnë qartësisht, se deklarimi i ngarkesës si mall i rrezikshëm apo mbetje e rrezikshme, është detyrim ekskluziv i eksportuesit apo i importuesit, çka duhet të evidentohet përmes dokumentacionit shoqërues të mallit nga prodhuesi, analizat dhe autorizimet bashkëlidhur.

Edhe në ketë rast dhe edhe në rast se eksportuesit kanë kryer ndonjë mashtrim, nuk janë politikanët dhe aq më pak pastaj janë tellallët e penxhereve dhe tenxhereve të çorbës politike të Tiranës që mund të ndajnë zbatimin e ligjit nga shkelja e tij, por janë organet hetimore ligjzbatuese, të cilat si gjithnjë ne i mbështesim pa kushte, sepse për ne janë institucione të drejtësisë, nuk janë sipas oreksit institucione të drejtësisë apo organizata kriminale në të njëjtën kohë dhe me të cilat bashkëpunojmë në çdo rast, pa kushte.

Është tërësisht absurd pretendimi që përgjegjësitë e qarta, të cilat ligji dhe konventat ndërkombëtare, ia ngarkojnë ekskluzivisht subjekteve prodhuese përpunuese, depozituese dhe eksportuese, të thashethemohet ligësisht si përgjegjësi administrative e institucioneve publike. Janë ngritur akuza që pastaj kanë ardhur në formë pyetje, brenda akt-akuzës që dëgjuat nga një akuzues i akuzuar që  thotë se akuzon, por në fakt informon, sepse po të akuzojë e di që pastaj e ndjek mbrapa hija e akuzës.

Janë ngritur akuza që pastaj kanë ardhur këtu në formë pyetje se përse nuk janë bërë analiza nga palë të pavarura për këtë lloj malli të dyshuar. Nuk është kryer asnjë lloj analize, qoftë edhe me përzgjedhje në këtë rast, as nga kompania gjermane që administron këto lloj eksportesh në Portin e Durrësit, as nga transportuesi, i cili e përsëris është një kompani ndërkombëtare lider në transportin detar; as nga autoritetet e vendi tranzitues në Bashkimin Europian dhe madje-madje, as nga vetë vendi pritës që kundërshton sot, por nuk ka kundërshtuar zyrtarisht asnjë deklarim sepse nuk ka bërë asnjë analizë. Po pse nuk janë bërë analizat? Sepse në asnjë port të botës përveçse në “portin e mbetjeve” që administrohet nga penxherja e katit të 8, atje mbi rrugën e shpresës së kotë, nuk analizohet çdo ngarkesë. Atje, në atë port ngarkesa rri lart dhe analizon ata që rrinë poshtë. Vetëm në fantazinë malinje të atyre që nuk e kanë haberin e punëve të shtetit dhe as të funksioneve të shtetit bëhen analiza thes më thes, madje dhe kuti më kuti për të gjetur votën e duhur në kutinë e gabuar dhe pastaj për të fituar pasi janë sakatuar.

Prej vitit 2017, në Shqipëri kemi një normë kontrollesh fizike në pikat tona kufitare disa fish më të lartë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian dhe kjo nuk është për t’u krenuar por për t’u adresuar vit pas viti, derisa ta ulim në nivelin e mesatares së BE-së sasinë e kontrolleve dhe jo t’i shpeshtojmë kontrollet, sepse vijmë nga një histori kontrollesh që ju e dini shumë mirë, ndërkohë që të gjitha proceset doganore operojnë përmes profileve të riskut për të minimizuar pikërisht ndërveprimin njerëzor, vonesat e fluksit tregtar dhe korrupsionin bashkë me to.

Dhe në fund, a prodhohen mbetje nga proceset industriale dhe teknologjike në Shqipëri?

Sigurisht që po dhe është mëse normale, siç politika ka prodhuar mbetje, çdo proces prodhon mbetje, por këtu jemi në rastin kur mbetjet prodhojnë politikë. Ndër to, ka mbetjet të rrezikshme dhe jo të rrezikshme. A ka një kontroll të këtyre mbetjeve të rrezikshme? Patjetër. Ku depozitohen? Si asgjësohen? A ka gjurmueshmëri të tyre nga prodhimi deri në asgjësim?

Mbetjet e rrezikshme sipas ligjit 10463/2011 për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve trajtohen nëpërmjet procesit të rikuperimit, të riciklimit, të asgjësimit sipas metodave ligjore të përcaktuara. Konkretisht trajtimi i mbetjeve të rrezikshme sipas lejes mjedisore kryhet në vendndodhje nëpërmjet operacioneve të rikuperimit ose ato grumbullohen, transportohen dhe asgjësohen në mënyrë përfundimtare nga subjekte të licencuara.

Në mbyllje të kësaj që thashë vijmë te ajo që goja shumë-tellallëshe e ka marrë të mirëqenë në fillim për tu nxirë shqiptarëve pamjen dhe për t’ua hequr pinin sipas dëshirës, duke iu thënë se së shpejti mbetjet e dyshuara do vijnë në Shqipëri bashkë me fundin e botës sepse do të shpërthejnë bombat me oksid hekuri dhe me pluhur zinku, sepse për sytë me 7 penxhere dhe për gojën 7- kanatëshe shteti shqiptar apriori, pa asnjë verifikim, është në çdo rast fajtor nga këmbët deri te koka, po rjanë fajtor edhe të gjithë shqiptarët sepse ata në shumicë e mbajnë në krye me votë një regjim kriminal dhe kjo lidhet me çdo rast papërgjegjshmërie individuale, tentative private për paligjshmëri apo qoftë edhe me dyshime që lidhen me operatorë të caktuar në treg dhe që të respektoj plotësisht kohën dua të them edhe këtë, që Shqipëria ka sot në Portin e Durrësit një dosje inspektimesh dhe certifikimesh sistematike, rigoroze nga autoritetet europiane që e përcaktojnë portin e Durrësit si një port të sigurt dhe që e bëjnë Durrësin vendin ku së shpejti do të kemi edhe portin e NATO-s.

* * *

Nuk e di a ju ndodh dhe ju e njëjta gjë, por mua më doli malli për të shkretin Lul, tutorit të mëparshëm të këtij figurës që foli dhe besoj që të gjithë ata që e ndoqën e panë se ku është dallimi i madh midis nesh që flasim me fakte dhe këtyre që s’dinë çfarë flasin.

Thashë në fillim, përgjatë dhe në fund që këto mallra, me këto emra nuk kategorizohen tek mbetjet e rrezikshme.

E dëgjuat reagimin e reaguesit të gjetur në konfuzionin e ekspertizës së tij, se unë ekspert nuk jam dhe për këtë arsye mësoj duke ulur kokën të lexoj dhe patjetër të dëgjoj nga ekspertet. Kurse zotëria e pret ekspertizën me gojën hapur dhe kokën lartë, i futet dhe ekspertiza në gojë nga lartë, e rrotullon nëpër gojë ekspertizën gjerë edhe gjatë dhe vjen ta pështyjë këtu. Se flet zotëria për kush jam unë, e kush është zotëria për fjalët që kemi thënë, por nëse unë nuk gaboj është zotëria që tha: po erdhi Saliu me Flamurin në godinë, unë do iki nga politika. Nuk iku nga politika, iku nga godina bashkë me Flamurin për të mbajtur kokën lartë e për të parë Saliun.

Kështu që është problem i madh, shumë problem i madh dhe problemin më të madh këtu e ka ai që është në kat të tetë që nuk ngeli balerinë pa i shkuar atje te parvazi e pa i thënë ma lër mua ta tund belin për ty.

Tani një fjalë serioze për këtë punën e krimit të organizuar.

Zotrote je ai që iu the këtyre, iu the atyre, iu the shqiptarëve: kam kallëzuar në SPAK Olsi Ramën. Në fakt kishe kallëzuar vetëm Noc Rrokun sepse i kishe çuar një informacion, mirë e bëre, se ndryshe do përfundoje si babale Salivani që tani shtyn me raporte gjyqin për vendimin e formës së prerë, por unë, nuk e keni mësuar akoma ju se çfarë problemi keni me mua, unë duroj shumë. Do duroj deri këtu SPAK të nxjerrë të vërteten dhe pastaj do kemi dhe një ballafaqim tjetër bashkë, jo unë me ty kështu, se ti je kokën lartë me gojë hapur dhe unë s’ta hedh dot në gojë atë që merr ti nga atje lart, por do ta kemi dhe një ballafaqim tjetër, dakord?

Ju përshëndes edhe kokën lart, gojën hapur, ekspertizën brenda, rrotulloheni në gojë, hajde pështyjeni këtu dhe pështymën që do merrni nga shqiptarët vitin e ardhshëm do ta keni më keq se në ’97-ën!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA