I shoqëruar vetëm nga avokati, çfarë ndodhi në pak minuta të përballjes së Berishës në SPAK me dy prokurorët, Kraja e Millonai

11/09/2024 21:18

Prania e ish-kryeministrit Sali Berisha brenda dyerve të SPAK-ut ka zgjatur vetëm pak minuta.

Lideri i opozitës, megjithëse ishte thirrur të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme në orën 12:00, zgjodhi që fillimisht të takonte militantët që kishin dalë ta mbështesnin, sipas porosisë së Flamur Nokës, por edhe për të komunikuar me gazetarët.

Pak pas orës 12:20, Berisha i shoqëruar nga avokati i tij Genc Gjokutaj i janë drejtuar detektorit të vendosur në hyrje në SPAK.

Burimet i thanë Top Channel se Berishën dhe Gjokutajn në Prokurorinë e Posaçme i kanë pritur dy prokurorët e çështjes Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai. Mësohet se biseda e tyre ka qenë formale, aq sa dy prokurorët i kanë dhënë dosjen me akuzat ish-kryeministrit, që siç bëri të ditur për mediat ishte rreth 500 faqe.

Më pas Berisha la SPAK-un dhe iu drejtua sërish mediave, ku njoftoi se ishte marrë i pandehur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA