“Arrest me burg” për 21- vjeçarin, babanë e foshnjës që lindi 14-vjeçarja e komunitetit rom.
21-vjeçari, i cili prej më shumë se një viti bashkëjetonte me një 14-vjeçare, u la në burg nga gjykata e Korçës.
Ndaj tij rëndon akuza “marrëdhënie seksuale me të mitur”, teksa e mitura solli në jetë një fëmijë pak ditë më parë. Kur 14-vjeçarja e komunitetit rom lindi në maternitet, uniformat blu i vunë prangat të riut.
Avokati i 21-vjeçarit, Gentian Serjani kërkon një masë më të lehtë për klientin e tij, për të cilin thotë se është kryefamiljar dhe i duhet të kujdeset për parteren dhe foshnjën e tyre. Sipas tij, asnjë psikolog nuk është afruar nga shteti për të miturën, ndërkohë që shton se ka depozituar një kërkesë që çifti të celebrohet zyrtarisht.
“Gjykata pranoi kërkesën e prokurores për ta lënë në arrest me burg 21-vjeçarin. Qëndrimet dhe argumentet tona ishin që të kishte një masë më të lehtë të sigurimit personal duke parë situatën. Nëna e mitur sot nuk ka mundësi ekonomike të ushqejë fëmijën e sapo ardhur në jetë, fëmija sot ka nevojë për qumësht dhe kush do ta ushqejë? Ishte vetëm 21-vjeçari që punonte dy punë për të mbajtur familjen, punonte dhe turn i tretë por dhe gjatë ditës për të mbajtur familjen. Në familjen e tij s’ka person tjetër pasi nëna dhe babai ka ndërruar jetë, është vetëm ai me motrën që jetojnë në atë familje. Sot kemi dorëzuar një kërkesë nga vajza e mitur drejt gjykatës për lëshim autorizimi që ajo të lidhë martesë ligjore me babanë e fëmijës sepse ka qenë me vullnet të lirë që në momentin e parë që janë bashkuar e deri në lindjen e fëmijës. Ka qenë çift që është përkujdesur rregullisht gjatë muajve të shtatzënisë për të pasur një shtatzëni të rregullt. Fatkeqësisht, gjykata e certifikoi kërkesën e prokurorisë, edhe pse u munduam të tregojmë që bëhet fjalë për komunitet rom, martesa të hershme të cilat duhet të parandalohen dhe jo të jetë shkopi i vetëm në momentin kur ka dalë pasoja. Duhet ti ofrojmë mundësinë atyre që kur janë në shkollë, kur kanë nevojë për trajtim social dhe psikologjik të trajtohen. Me gjithë këtë situatë të rëndë psikologjike nuk kemi parë asnjë psikolog që të ofrohet nga institucionet vendore për nënën e mitur. Ne e lamë atë nënë të mitur sot me fëmijën në mëshirë të fatit.
Nuk ishte e celebruar zyrtarisht për shkak të moshës të vajzës ndaj sot depozituam një kërkesë për lëshim autorizimi, që me të drejtë të një vajze që ka lindur një fëmijë, të kërkojë autorizim. Djali nuk e dinte moshën e vajzës, e ka marrë vesh para dy muajsh, kur ka pasur vizitën te mjeku gjinekolog, i është kërkuar një certifikatë personale e bashkëjetueses”.
Vetë e mitura është shprehur se me partnerin kishte zgjedhur të jetonte me dëshirën e saj dhe pëlqimin e prindërve.
Në një intervistë për Top Channel pak ditë më parë, mes lotësh, ajo kërkoi lirimin e babait të fëmijës, ndërsa u shpreh se vetëm ai punonte dhe sillte të ardhura për të dhe foshnjën e porsalindur.
“Kam një vit që njihem me bashkëshortin. Jemi njohur ne Elbasan. U thashë edhe prindërve të mi. Ata ranë dakord dhe kam një vit me të. Unë kam një fëmijë me të, përse ta arrestojnë. Ai s’më ka marrë me zor. Dua që të lirohet burri im, kush do më ushqejë mua po fëmijën tim?! Dua të ma lironi që sot. Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha. Punonte ai, që më sillte për të ngrënë më shtëpi. Punonte dy punë, edhe ditën, edhe natën për të më sjellë bukë në shtëpi. Dua të ma lirojnë. Më kanë ardhur mami me babin nga Miloti, unë s’kam dhënë asnjë deklaratë në polici, por që dje jam njoftuar për burrin që e kam në polici”, u shpreh vajza.
Top Channel