Palestinezët: Të paktën 40 persona të vrarë në Gazë nga sulmi izraelit

10/09/2024 09:07

Një sulm izraelit në një kamp të mbushur me palestinezë të zhvendosur nga lufta në Gazë, ka vrarë të paktën 40 persona dhe ka plagosur 60 të tjerë, në orët e para të së martës, kanë thënë zyrtarët palestinezë.

Izraeli ka thënë se ka shënjestruar militantë “të rëndësishëm” të Hamasit, deklarata që janë hedhur poshtë prej grupit militant.

Hamasi është grup që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.  Ky mund të jetë një prej sulmeve më vdekjeprurëse në Muvasi, një zonë e mbushur me tenda, e cila gjendet afër bregdetit të Gazës, të cilën Izraeli e ka shpallur zonë humanitare për qindra mijëra civilë, që i kanë ikur luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Mbrojtja Civile, e cila është përgjegjëse për operacione të kërkim-shpëtimit në Gazë, ka thënë se ka mbledhur 40 trupa pas sulmit dhe ende është duke kërkuar. Sipas saj, familje të shumta janë vrarë nëpër tendat e tyre.

Attaf al-Shaar, e cila është zhvendosur prej qytetit jugor të Gazës, Rafah, ka thënë se sulmi ka ndodhur pak pas mesnatës dhe ka shkaktuar zjarr.

“Njerëzit janë djegur në rërë. Atyre u janë mbledhur vetëm copat”, ka thënë ajo për një gazetar të agjencisë së lajmeve Associated Press, në skenën e sulmit.

Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur militantë të Hamasit që kanë qenë duke operuar në qendrën komanduese, dhe që ka kryer sulme precize për të shmangur viktima civile.

Hamasi e ka lëshuar një deklaratë duke mohuar që ka pasur militantë në zonën e sulmit.

As Izraeli, dhe as Hamasi nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme për t’i mbështetur pretendimet e tyre.

Lufta ka rezultuar me shkatërrim të madh në Gazë, dhe gati 90 për qind e popullsisë 2.3 – milionëshe është zhvendosur disa herë.

Autoritetet palestineze raportojnë se si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë mbi 40.000 persona në Gazë.

Kombet e Bashkuara raportojnë se shumica kanë qenë gra dhe fëmijë.

Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të Hamasit, në jug të Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar.

Në atë sulm janë vrarë mbi 1.200 njerëz dhe janë marrë peng mbi 240 të tjerë.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë tentuar vazhdimisht të ndërmjetësojnë një armëpushim mes palëve, mirëpo nuk kanë arritur sukses, pasi Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin se po bëjnë kërkesa të papranueshme./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA