Është zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar socialist.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka mësuar se deputetëve u është komunikuar një takim informal me kryeminstrin Edi Rama të premten në qytetin e Elbasanit, një takim i ngjashëm me atë të qeverisë në rezidencën qeveritare në Dajt dy javë më parë.
Në këtë takim, fokusi pritet të jetë tek komunikimi i deputetëve me qytetarët.
Pikërisht, për komunikimin, në një intervistë për Top Channel, kreu i grupit parlamentar socialist Niko Peleshi deklaroi:
“Komunikimi bëhet edhe më i rëndësishëm tani që po i afrohemi zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Na duhet të komunikojmë më shumë për ato që kemi bërë dhe natyrisht, përhapur ndonjë tymnajë nga opozita për të fituar debatin politik. Pra, komunikimi është shumë i rëndësishëm. Komunikimin, qeveria e realizon përmes kanaleve të veta, dhe Parlamenti ka rëndësinë e vetë. Tre janë kanalet ku unë e shoh deputetin në komunikimin publik, puna në seancë dhe komisione, si performon grupi parlamentar në seancë dhe komisione. E dyta, komunikimi përmes rrjeteve sociale, që po merr peshë të madhe në komunikimin publik. Dhe komunikimi në elektorat. Në këto tre aspekte, unë do të bëj punën time si kryetar i grupit parlamentar, për ta çuar në një nivel tjetër, për ta përmirësuar dhe për t’i dhënë një dorë përpjekjes së PS-së për të fituar zgjedhjet e ardhshme”.
Top Channel