Gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti nga porti detar i Durrësit, sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, kanë hyrë në vendin tonë mbi 177 mijë persona dhe kanë dalë afro 175 500 persona.
Vetëm në gusht kanë hyrë në vend nga kjo pikë kufitare 148 mijë udhëtarë me tragetet e linjës, shumica anëtarë të diasporës shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe shumë shtetas të huaj që këtë verë zgjodhën vendin tonë për të pushuar.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë vihet re një rënie e numrit të lëvizjeve nga porti më i madh i vendit. Kjo për shkak të rritjes së çmimeve nga kompanitë e lundrimit dhe çmimeve më të favorshme që ofron transporti ajror me linjat low cost, si dhe kohës së reduktuar në udhëtim.
Për ata që udhëtojnë me automjete drejt Shqipërisë dhe në kthim drejt porteve italiane të Barit dhe Ankonës, lëvizja me tragete është një mundësi e mirë për të shkurtuar rrugë, ndërsa lundrimi me traget ofron dhe një përvojë të bukur për udhëtarët e grupmoshave të ndryshme që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik dhe përgjatë të gjithë vitit.
Ndërkohë nga Kapiteneria e Portit Detar të Durrësit bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit në port mbërritën me 3 tragetet e linjës 801 pasagjerë dhe 327 automjete, si dhe u larguan 2 300 persona dhe 667 automjete.
Top Channel