Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Kryesisë shpalosi qëllimet e Partisë Demokratike.
Berisha: Sot, të mendojmë se po shkojmë në këto zgjedhje si ‘bussines as usual’ do të jetë një mashtrim i madh për veten tonë, një mashtrim i madh për qytetarët shqiptarë. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Me Edi ramën, nuk ka zgjedhje ‘business as usual’.
PD ka si alternativë mospjesëmarrjen në zgjedhje, gjë e cila është e ndaluar me shumë të drejtë në statutin e saj. Ju garantoj të dashur demokrate e demokratë se Edi Rama do të festonte në qoftë se do t’i lejonim vetes një vendim të tillë.
E megjithatë, zonja e zotërinj, anëtarë të Kryesisë, detyrimi ynë absolut para demokratëve, para shqiptarëve, është kthimi i votës së lirë te shqiptarët. Dhe ky kthim i votës së lirë realizohet vetëm me një qeveri teknike, largimin e Edi Ramës dhe procedimin në krijimin e një qeverie teknike.
Asgjë nuk mund të lemë pas zgjedhjeve dhe të provojmë atë që provuan opozita në Venezuelë. Dje, Rama i Venezuelës, Maduro, arrestoi me akuzën për aktivitet terrorist kryetarin e opozitës, i cili fitoi zgjedhjet me 70%. Shembulli i Venezuelës duhet të jetë një mësim i madh për ne. Pra, nga secili prej jush, nga të gjithë ne, qytetarët presin rikthimin e votës së lirë. A jemi ne në gjendje të mbushim aktualisht këtë mision? Jo! Ne nuk jemi. Por, a është ky një mision i pamundshëm? Absolutisht, nuk është i pamundshëm.
Ky mision kërkon nga ne të motivojmë, të angazhojmë,të frymëzojmë çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar në një lëvizje të fuqishme që nuk e ka njohur më parë Shqipëria gjer në realizimin e qëllimit tonë. Ne jemi së bashku udhëheqja kryesore e opozitës. A mund të ecim ne si somnobyl për të marrë një mandat dhe për të firmosur mandatin e katërt t Edi Ramës? Kurrë! Atëherë, ku qendrojnë mundësitë tona? Mudnësitë dhe potenciali ynë qendron tek demokratet dhe demokratët.
Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk kurseu as kritikat e tij të vazhdueshme ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
Berisha: Unë dua të informoj shqiptarët se, nga 35 dosje me rreth 1 mln faqe që kanë ardhur nga shërbimi i zbatimit të ligjeve të vendeve partnere, vetëm 4 prej tyre janë shqyrtuar. Por edhe këto 4 që janë shqyrtuar, këto dhe të tjera, kanë mbi 50% të të gjitha bisedave, të të gjithë krimeve i ka në rrafsh elektoral.
Asnjë fashikull, asnjë faqe, asnjë fakt nuk është prekur me dorë, nga një krye lakej i Edi Ramës i cili kontrollon SKAP-in, dhe në një akt të papërgjegjshmërisë totale iu thotë shqiptarëve se do të merrem nga janari me to. Dhe do t’u thotë se këto janë krime elektorale, krime të intelektualëve dhe nuk mund t’i zgjidhi.
Pse i theksoj këto? I theksoj, sepse ne vetë, në këto kusht kur asnjë nga krimet madhore që kryen regjimi, që denoncohet nga opozita nuk përbën objekt hetimi nga drejtësia e sotme, ose ur ato amnistohen në mënyrën më kriminale, atëherë na detyron t’i themi vetes: dale, çfarë jemi ne?
Edhe kësaj pyetje duhet t’i japim përgjigje.
Në qoftë se u përpoqën me mekanizma anti-kushtetuese, anti-ligjore të vendosin nën kontroll PD, t’i emërojnë kryetarin asaj, etj., dhe ta shndërronin në kamp opozitë. Tani, sigurisht kanë dështuar me këto, por tani kanë gjetur, kanë zgjedhur injorimin total të zërit të saj në shoqëri.
Në një farë mënyrë, në sytë e shqiptarëve kjo opozitë nuk ka fuqi. Kjo opozitë nuk ka pushtetin që i takon me ligj dhe Kushtetutë. Kjo opozitë shëmbëllen një lloj dekori për këtë regjim.
E them këtë për të ndërgjegjësuar çdo demokrate dhe demokrat se në çfarë pozicioni jemi ne sot, dhe ne hymë në vit elektoral, në një kohë kur asnjë nga rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk është pranuar të shqyrtohet nga Edi Rama.
Top Channel