Bashkimi Evropian (BE) ka kritikuar Mongolinë të martën për dështimin e saj në zbatimin e fletarrestimit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) për arrestimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në këtë vend.
“BE-ja shpreh keqardhje që Mongolia, një vend anëtar i Statutit të Romës së GJNP-së, nuk e përfilli detyrimin e vet sipas këtij statuti për ta zbatuar fletarrestimin”, tha blloku në një komunikatë.
Të martën, Putini u takua me presidentin e Mongolisë, Ukhna Khurelsukh, në Ulan Bator, gjatë vizitës së tij të parë në një vend anëtar të GJNP-së, prej se kjo gjykatë lëshoi fletarrestim kundër tij në mars 2023.
Putini kërkohet për dëbimin dhe dërgimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga pjesët e pushtuara të Ukrainës për në Rusi, prej se e urdhëroi pushtimin e plotë të Ukraiëns në shkurt 2022.
Një zëdhënës i Qeverisë mongole tha se Mongolia, e cila ka më shumë se 3 milionë banorë dhe kufizohet me Rusinë dhe Kinën, nuk mund ta arrestojë Putinin sepse është e varur nga energjia.
Mongolia importon 95 për qind të produkteve të saj të naftës dhe më shumë se 20 për qind të energjisë elektrike nga fqinjët e saj të afërt, dhe këto furnizime janë jetike për mbijetesën e vendit, tha zëdhënësi për Politico.
“Mongolia ka mbajtur gjithmonë një politikë neutraliteti në të gjitha marrëdhëniet e saj diplomatike, siç dëshmohet nga deklaratat tona zyrtare të deritanishme,” shtoi zëdhënësi i Qeverisë.
Zyrtarët mongolë e pritën me tepih të kuq me gardë nderi Putinin në aeroportin ndërkombëtar të Ulan Bator-it.
Raportohet se Putini dhe Khurelsukh nënshkruan marrëveshje për furnizimet me karburant të aviacionit për Ulan Bator dhe një studim fizibiliteti dhe punë rinovimi në një termocentral mongol. Putini gjithashtu përshkroi planet për t’i lidhur më mirë këto dy vendet përmes hekurudhave.
Mediat ruse gjithashtu thanë se Putin e ftoi Khurelsukh të marrë pjesë në tetor në qytetin jugor rus, Kazan, në një takim të grupit BRICS të vendeve në zhvillim.
Ky vizita e parë i Putinit në Mongoli në pesë vjetët e fundit. Mongolia iu bashkua GJNP-së në vitin 2003. Institucione dhe zyrtarë perëndimorë kërkuan arrestimin e Putinit pas mbërritjes së tij në Mongoli.
Aktivisti politik opozitar nga Rusia, Vladimir Kara-Muza, i cili u lirua nga një burg rus muajin e kaluar në këmbimin e madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit, thotë se autoritetet në Mongoli duhet “patjetër ta arrestojnë” presidentin Vladimir Putin.
Ai shtoi se ai dhe politikanët dhe aktivistët e tjerë opozitarë rusë e nënshkruan një peticion online për t’i bërë thirrje autoriteteve mongole ta arrestojnë Putinin.
“Sa i përket Gjykatës Ndërkombëtare Penale, sa i përket Statutit të Romës, sa i përket ligjit ndërkombëtar, Vladimir Putin duhet të arrestohet”, tha Kara-Murza për Current Time më 1 shtator.
Kremlini tha më 30 gusht se nuk “brengoset” për udhëtimin e Putinit, duke shtuar se Rusia ka “dialog të mrekullueshëm me miqtë tanë nga Mongolia”./REL
Top Channel