Katër shtetas bullgarë kanë rënë në prangat e Policisë në Greqi, pasi kanë mashtruar një 63-vjeçare shqiptare duke i marrë një shumë prej 98500 eurosh.
Sipas Protothema, ngjarja ka ndodhur në ishullin Santorini dhe arrestimi i 4 bullgarëve erdhi pas mobilizimit të menjëhershëm të Policisë që bllokoi çdo rrugë.
Policia ka shfrytëzuar pamjet e kamerave të zonës për kapjen e mashtruesve, mes të cilëve edhe dy gra.
Atyre iu gjetën 98 mijë e 500 eurot e 63-vjeçares shqiptare, ndërsa katër bullgarët u dërguan në Prokurorinë e Naxosit me dosjen e ngritur ndaj tyre për ‘organizim kriminal’ dhe ‘mashtrim në bashkëpunim’.
Gjithçka nisi të premten e kaluar, kur 63-vjeçarja mori një telefonatë nga një grua e panjohur e cila i ishte prezantuar si punonjëse policie dhe i kërkoi një shumë të madhe parash, me argumentin për të shmangur pasojat ligjore për djalin e saj që shkaktoi një aksident automobilistik ku ka plagosur rëndë një fëmijë të mitur.
Gruaja ndoqi udhëzimet e saj dhe i vendosi paratë në një kosh plehrash ku u udhëzua. Megjithatë, mashtrimi u zbulua dhe nisi një hetim që çoi në arrestimin e bullgarëve.
Top Channel