Ishte e pritshme që qeveria e re laburiste e Sir Keir Starmer në Britani, e qendrës së majtë të kishte një qasje ndryshe nga një këndvështrim ideologjik si për Izraelin, ashtu edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, krahasuar me konservatorët që humbën zgjedhjet e fundit.
Këta të fundit e kanë cilësuar “tradhti shokuese” ndaj Izraelit, ndërsa qeveria si një “përgjegjësi ligjore”.
Faktikisht, Britania nuk është se është ndonjë eksportuese e madhe armësh dhe teknologjie ushtarake drejt Izraelit dhe lipset një sens proporcionaliteti në këtë zhvillim, pasi vetëm 10 përqind e 350 licensave për eksportimin e armëve drejt Izraelit janë pezulluar përkohësisht, pra 30 syresh.
Madje, kjo nuk është hera e parë dhe e paprecedentë që Britania ka pezulluar përkohësisht eksportet e armëve drejt Izraelit. Kujtojme se të njëjtën gjë ka bërë Margaret Thatcher në vitet 1980-a dhe kryeministri tjeter laburist Gordon Broën në 2009-ën, dhe në të dyja rastet kur u arritën armëpushime sanksionet u hoqën.
Thënë kjo, kësaj here ajo që ka vlerë dhe ka shkaktuar reagime është koha dhe sinjalet që janë mjaft të rëndësishme në politkë ,si në aspëktin ndërkombëtar edhe atë të brëndshëm. Qeveria e Izraelit është shprehur e zhgënjyer edhe pse privatisht u informua paraprakisht për vendimin. Ndërkohë opozita britanike që deri dje nuk ishte kritike fillimisht, e më pas ndryshoj qëndrim, thotë se gjithçka duket si një lëvizje që kërkon të kënaq grupin parlamentar laburist dhe ekuilibrat e brendshëm partiak, dhe njëkohësisht të mos ofendoj Izraelin një aleat në Lindjen e Mesme, për ç’ka opozita thotë se do dështoj në të dyja këto qëllime.
Gjithsesi Britania mbetet një aleate e ngushtë dhe historike e Izraelit dhe do i gjendet në krah në çdo rast të kërcënimit ushtarak të saj, siç veproj së fundmi në rastin e sulmeve me drone nga Irani. Ky zhvillim pritet të jetë afatshkurtër dhe shpresues se Izreali dhe Hamas do mund të arrijnë gjejnë një kompromis në rrugën e vështirë drejt paqes, edhe pse shpresat janë të vakta dhe aspak inkurajuese për momentin, nisur nga retorika më e fundit që vjen nga Lindja e Mesme.
Top Channel