560 të arrestuar gjatë gushtit/ Goditet grupi kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, 25 të ekstraduar

03/09/2024 09:34

560 persona janë arrestuar gjatë muajit gusht në vendin tonë, për vepra të ndryshme penale.

Planet operacionale mbarëkombëtare “Territor i pastër”, “Sundimi i ligjit”, “Tempulli”, “Para drejtësisë”, “Siguria detare” dhe “Plazh i lirë”, kanë vijuar gjatë këtij muaji.

Në kuadër të tyre, në të gjithë territorin e vendit:

-janë finalizuar 105 operacione policore dhe janë vënë në pranga 560 autorë të dyshuar veprash penale të ndryshme. 70 prej tyre ishin në kërkim kombëtar;

-në bashkëpunim me partnerët, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”, janë kapur dhe/ose ekstraduar, brenda dhe jashtë Shqipërisë, 25 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar;

-gjatë operacioneve në shkallë vendi janë sekuestruar 39 armë zjarri, 7 armë gjahu, 3 silenciatorë, kapsollë detonatore, fitil zjarrpërcjellës, pajisje si të Policisë; 6 kg cannabis sativa, qindra doza cannabisi, kokaine dhe heroine, si dhe janë asgjësuar 54 380 bimë dhe fidanë cannabis sativa;

-një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar, u godit falë bashkëpunimit mes autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe atyre britanike. 3 pjesëtarë të grupit u vunë në pranga, ndërkohë po punohet për kapjen e 3 të tjerëve. U sekuestruan 25 armë zjarri;

-janë parandaluar 3 vrasje që mund të kryheshin me armë zjarri/armë të ftohta, si dhe është parandaluar përshkallëzimi i 6 konflikteve që mund të kishin pasoja të rënda;

-është zbardhur vrasja me mjet prerës e një 72-vjeçari, në Memaliaj. Veprimet profesionale hetimore çuan në pranga 3 shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje;

-janë zbardhur 2 tentativa për vrasje, disa djegie të automjeteve/pronave, 1 shpërthim me eksploziv dhe një aksident me pasojën vdekjen;

-janë zbardhur dhe dokumentuar nga Sektori për Hetimin e Krimit Kibernetik i DVP Tiranë, 62 raste të përndjekjeve online, të kryera nga 34-vjeçar që ndodhet i arrestuar në Francë, si dhe një rast tjetër i përndjekjes online nga një shtetas tashmë i arrestuar nga Policia e Tiranës, që ka shkaktuar largimin e një të miture nga banesa;

-janë zbardhur 60 raste të vjedhjes, 12 prej tyre çanta/portofola të turistëve;

-janë bllokuar 183 mjete lundruese, nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, për cenim të perimetrit të sigurisë të caktuar për lundrim dhe/ose për mungesë dokumentesh. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 10 000 lekë deri në 110 000 lekë;

-janë sekuestruar 1075 çadra dhe shezlongë, të vëna pa leje dhe duke cenuar hapësirën publike në plazhet e qarkut Vlorë;

-është ndërhyrë në 13 lokale që kishin vënë muzikë, në tejkalim të nivelit dhe orarit të përcaktuar me ligj. Administratorët e këtyre subjekteve u proceduan në gjendje të lirë, si dhe u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën;

-është reaguar menjëherë për 32 raste të zjarrvënieve të qëllimshme ose nga pakujdesia. Autorët e tyre janë identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale;

-iu është dhënë ndihmë në 10 raste, 23 shtetasve që eksploronin vendin tonë, të cilët kishin defekte në mjetet me të cilat lëviznin ose kishin humbur orientimin në terrene të ndryshme;

-janë trajtuar ligjërisht 105 raste të dhunës në familje;

-janë goditur 25 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Janë sekuestruar 6 makineta, 1 kompjuter, 1 tavolinë pokeri, 15 televizorë, 10 celularë që i shërbenin kësaj veprimtarie dhe shuma parash;

-janë goditur 11 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme. Janë sekuestruar bizhuteri floriri dhe argjendi, 500 litra naftë, medikamente mjekësore dhe mallra të tjera, pa faturat shoqëruese;

Policia Rrugore intensifikoi kontrollet dhe monitorimet në të gjitha akset e vendit, duke përdorur makinat inteligjente dhe bazën logjistike që ka në dispozicion, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës, gjatë sezonit turistik.

Si rezultat i kontrolleve:

-janë vënë në pranga 221 drejtues mjetesh, nga të cilët 152 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 69 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi;

-janë pezulluar 430 leje drejtimi, nga të cilat 192 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 94 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 144 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

Policia Kufitare ka qenë tërësisht e fokusuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurt të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.

Si rezultat i punës dhe angazhimit për përmbushjen e këtyre prioriteteve, janë goditur:

57 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufijtë, 8 raste të mosdeklarimit të shumave monetare në kufi dhe 10 raste të trafikimit të mjeteve motorike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA