Deputetët “në provim”/ Sesioni i ri filloi me konsensus, por parlamentarët janë nën ethet e rikandidimit

02/09/2024 19:44

Të zgjedhurit e popullit iu rikthyen jetës parlamentare duke nisur sesionin e vjeshtës.

Opozita dhe shumica socialiste e kanë nisur mbarë duke vazhduar gjetjen e dakortësisë sikurse e bënë në muajt e fundit të sesionit të shkuar parlamentar.

Kjo nisje e mbarë u reflektua në mbledhjen e konferencës së kryetarëve për të cilën kryetarja e re e kuvendit Elisa Spiropali tha se “Konsensusi i arritur në këtë mbledhje të parë le të jetë një ogur i mirë për fillimin e sesionit të ri parlamentar”.

Megjithatë nisja e fjalës e saj përshëndetëse në seancë plenare u zhurmua për pak momente nga Gazment Bardhi.

“Në këtë fillim sesioni ju bëj të gjitha palëve në këtë sallë thirrjen time të sinqertë: t’i mbrojmë deri në fund pikëpamjet dhe qëndrimet tona, por me etikë parlamentare, duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët që na kanë votuar e na ndjekin.”

Për dy komisionet e posaçëm parlamentare të drejtuara nga Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe, kryetarja Spiropali kërkoi pjesëmarrjen e opozitës.

“Në frymën e bashkëpunimit për ngritjen e komisioneve hetimore, të kontributit për integrimin europian dhe të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për reformën zgjedhore, opozita të marrë vendin dhe përgjegjësitë e saj në këto komisione të posaçme dhe të konsiderojë kontributin e saj pjesë të misionit parlamentar, politik e kombëtar. Unë e garantoj për akses të plotë në vendim-marrjen e këtyre komisioneve. Të provojmë se jemi ligjvënës të denjë, bashkëndërtues të institucioneve dhe bashkëmbrojtës të vlerave demokratike.”

Renditi si prioritet shqyrtimin e të gjitha vendimeve të gjykatës kushtetuese ku palë është kuvendi. Përshëndetën nisjen e kësaj legjislature edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

“Ka disa sfida të këtij parlamenti qe nuk janë partiake e qe nuk i përkasin një mandati qeverisës. Ato kërkojnë angazhim afatgjatë sepse kanë të bëjnë me te ardhmen afatgjatë të Shqipërisë. Te tilla janë nismat për të përmbushur detyrimet e integrimit europian. Ne BE nuk do te integrohet qeveria shqiptare por shteti shqiptar dhe shoqëria shqiptare.“-u shpreh Niko Peleshi.

“Ne nuk jemi armiqtë tuaj, dhe ju nuk ka asnjë arsye të certifikoni veten si armiq të qytetarëve shqiptarë. Prandaj në këtë sesion uroj që kartonat si deputetë ti ngremë vetëm për atë që jemi betuar. Për interesin publik, për qytetarët”, tha Bardhi.

Kryetarja e kuvendit lexoi propozimet e grupit parlamentar të PD me ndryshimet e përfaqësimit në  komitetin e Stabilzimim Asocimit duke hequr tre deputetë demokratë të cilët nuk iu bashkuan Brishës.

Panorama e këtij sesioni parlamentar do të jetë natyrshëm me fokus zgjedhjet e ardhshme të 2025.  Si deputetët demokratët ashtu edhe ata socialist synimin do ta kenë tek rikandidimi. Në kampin e deputetëve të Berishës do të shpaloset besnikëria ndaj tij dhe dalja në pah si luftëtar të kauzës së ish kryeministrit në arrest shtëpie me shpresën se mund tu sigurojë një vend të sigurt në listën e mbyllur. Sinjalin e parë e dha sot Jorida Tabaku.

Presioni rikandidimit është akoma edhe më i madh tek deputetët socialistë ndaj të cilëve kryesocialisti Edi Rama në kongresin e fund korrikut shpalosi një katalog me pakënaqësi. Me të gjitha gjasat më shumë se gjysma e deputetëve aktualë socialist do ta kenë këtë sesionin e fundit në ulëset e kuvendit.

Teksa kuvendi ishte i mbledhur në seancë plenare në hyrje të godinës së parlamentit banorët e Fushë Krujës protestuan për mungesën e aksesit në rrugën Thumanë Kashar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA