Cila është ajo kategori ku ekspulsi hiqet apo fshihet?! Avokati Bardhi në “Fol me Anilën”: Punonjësit e policisë kufitare në Shqipëri duhet të shikojnë germën…

01/09/2024 09:13

Në episodin e parafundit të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio është trajtuar tema “I ndaluar në Shengen” ku në fokus kanë qenë ekspulset që vendosin vendet e zonës Shengen ndaj shtetasve shqiptarë.

Shtatë vitet e fundit 47 mijë shtetas shqiptarë janë dëbuar, deportuar dhe u është vendosur ndalim hyrjeje në vendet e Europës për një periudhë të caktuar kohore. Bashkë me atë që njihet si ekspulsi apo “largimi me forcë i të huajit’ për një afat nga dy vjet, pesë dhjetë ose i përhershëm në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka lindur një fenomen i ri. Ofrimi i shërbimeve avokatore për ta shuar dëbimin administrativ dhe gjyqësor.

Pjesë nga intervista:

Anila Hoxha: Cila është ajo kategori ekspulsi që hiqen apo fshihen dhe si të tilla konsiderohen më tej me një afat të përfunduar mbi ndalesën?

Krenar Bardhi: Në momentin kur një qytetar i vendeve jo të Bashkimit Europian, i jepet një ekspuls, ka dy raste: rasti kur jepet nga një organ policor dhe rasti kur jepet nga një organ gjyqësor. Në disa raste ekspulsi shoqërohet edhe me një afat për largim vullnetar, pra i kërkohet, “i nderuar qytetar…, ju kërkojmë që brenda 7 ditëve të lini territorin e shtetit gjerman, italian apo spanjoll apo çfarëdo qoftë dhe provë e daljes nga shteti konsiderohet vula në pasaportë. Afatet janë në një shkresë, pra, në një dokument që lëshohet në të gjitha rastet.

Anila Hoxha: Pra, shtetasi në fjalë është i informuar për ndalesën?

Krenar Bardhi: Patjetër, dhe në shumë raste mos me thënë që 100 % të rasteve, dokumenti është edhe në gjuhën shqipe. Pra, i ofrohet në çdo rast asistencë në gjuhën, që kupton shtetasi, i cili po dëbohet.

Anila Hoxha: Megjithatë, kemi vërejtur se në pikat e kalimit kufitar për mjaft persona edhe të deportuar apo me ndalesa të klasifikuara si “persona të rrezikshëm”, ata ndalohen në pikat kufitare për kontroll dhe nuk lejohen që të vazhdojnë udhëtimin e tyre. A është kushtetuese kjo?

Krenar Bardhi: Kjo nuk është aspak kushtetuese.

Anila Hoxha: Pse nuk është kushtetuese? Për sa kohë ka një vendim nga autoritetet e huaja, siç përmendët ju, janë gjyqësore apo policore dhe këto vendime janë në fuqi. Kanë një vlerë edhe në territorin shqiptar?

Krenar Bardhi: Shteti shqiptar në shumë raste, kur ka të bëj me marrëdhëniet me shtetet e huaja ka në një farë mënyrë një lloj servilizmi të tepruar, përsa i përket zbatimit të këtyre rregulloreve. Mund të përmend një rast ekspulsi, ku shtetas shqiptar gjatë periudhës të vitit 2020 apo 2021 nuk kanë pasur me vete, le të themi tamponin, analizën e Covid ose nuk ka pasur me vete një shumë, le të themi që përkonte me 50 euro* ditët e qëndrimit në vendin e Bashkimit Europian. Ose nuk kanë pasur një biletë kthimi. Ose nuk ka pasur një rezervim hoteli. Në këtë rast, polici kufitar i vendit të BE ka dhënë vendimin për refuzim të hyrjes. Është shoqëruar qytetari në avion dhe është kthyer në Shqipëri. Në Shqipëri është konsideruar si “person i deportuar” dhe në rastin konkret është futur në listën e personave të cilët nuk duhet të dalin nga territori i shtetit. Pra, është vepruar në mënyrë të gabuar. Punonjësit e policisë kufitare në Shqipëri duhet të shikojnë gërmën, sepse është i ndarë në 10 paragrafe neni, që tregon gërmën nga “a deri tek h” që tregon arsyen e refuzimit të hyrjes në shtetin përkatës. Rastet e ekspulsit janë vetëm tek gërma “h”. Shikohet rëndom në pasaporta ku është “h” që tregon se ka një ekspuls apo ka një shënim në sistemin SIS 2, sepse është gjenerata e dytë e Shengenit dhe në rastin konkret, qytetari mund të ketë gërmen “i” ose “j” që tregon psh. refuzimin e hyrjes sepse cënon sigurinë e vendit, po në këtë rast kanë qenë normat e Covidit që ishin në fuqi. Pra, qytetari nuk ka ekspuls dhe ne si kemi proceduar? Kemi proceduar, shteti në të cilën është thënë që ka ekspuls i kemi dërguar “një kërkesë për informacion”. Ka kthyer përgjigje që “në bankën e të dhënave në SIS, pra “national SIS”, apo në SIS 2 nuk ekzistojnë rekorde për këtë qytetar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA