Pesë persona kanë kërcënuar përmes mesazheve në telefon kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka.
Duka është kërcënuar për shkak të detyrës nga Redian Haxhi, Petrit Selmani, Brajan Selmani, Santiago Selmani dhe Nazmi Selmani, të cilët janë vënë në pranga nga policia e Durrësit.
Sipas informacioneve i arrestuari Nazmi Selmani, është biznesmeni dhe presidenti i klubit “Iliria” të Fushë Krujës, i cili është konfliktuar me Dukën për një vendimmarrje të tij.
Konflikti ka lindur për shkak se Duka nuk ka mbështetur kërkesën e tij për ta përfshirë si futbollist njërin nga djemtë e tij, Brajan Selmanin.
Përveç Nazmi Selmanit, të arrestuar janë edhe djemtë e tij, të cilët janë të lidhur ngushtë me ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Kërcënuan me sms për shkak të detyrës 62-vjeçarin, Policia kap dhe vë në pranga 5 shtetas si dhe procedon penalisht dy të tjerë. Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
R.L. 30 vjeç, P.S, 26 vjeç, B.S, 20 vjeç, S.S, 22 vjeç, dhe N.S, 57 vjeç, të gjithë banues në Krujë.
Si dhe u proceduan ne gjendje të lirë shtetasit A.S, 24 vjeç dhe A.S, 39 vjeç, të dy banues në Krujë.
Arrestimi dhe procedimi i tyre u bë pasi: Më datë 30.08.2024, rreth orës 21:30, kanë kërcënuar me anë të një mesazhi telefonik për shkak të detyrës shtetasin A.D, 62 vjeç, banues ne Durrës dhe më pas rreth orës 22:30, i kanë shkuar te banesa, me qëllim kërcënimin e tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën, duke lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat personat e dyshuar. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve dhe procedimi në gjendje të lirë i dy të tjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjitheshëm Durrës për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” e kryer në bashkëpunim.
Top Channel