Në episodin e parafundit të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio është trajtuar tema “I ndaluar në Shengen” ku në fokus kanë qenë ekspulset që vendosin vendet e zonës Shengen ndaj shtetasve shqiptarë.
Shtatë vitet e fundit 47 mijë shtetas shqiptarë janë dëbuar, deportuar dhe u është vendosur ndalim hyrjeje në vendet e Europës për një periudhë të caktuar kohore. Bashkë me atë që njihet si ekspulsi apo “largimi me forcë i të huajit’ për një afat nga dy vjet, pesë dhjetë ose i përhershëm në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka lindur një fenomen i ri. Ofrimi i shërbimeve avokatore për ta shuar dëbimin administrativ dhe gjyqësor.
Por, ndërkohë në gjykata dhe në prokurori deklarohet një fenomen i ri, sic është ai i ndërrimit të mbiemrit nga njëri prej partnerët që ka ekspuls. Qëllimi është të shmanget gjurmimi në kufi me shpresën se me një mbiemër që merret nga një martesë fiktive, realizohet udhëtimi përmes pikave kufitare. Jemi këtu për të folur me gjyqtarin Ervin Pollozhani për këtë problematikë, dhe disa aspekte të tjera të ekspulsit që e kanë mijëra shtetas shqiptarë.
Pjesë nga intervista:
Anila Hoxha: Z. Pollozhani, mbi të gjitha, të sqarojmë si fillim çfarë është ekspulsi? Është dënim penal, është dënim civil? Çfarë është?
Ervin Pollozhani: Atëherë, ekspulsi ose dëbimi quhet ndryshe largimi me forcë i të huajve, në rastin konkret i shtetasve shqiptarë nga territori ku ai ose ajo banon për një periudhë relativisht të shkurtër kohore ose në një kohë të parashikuar në vendimin që imponon largimin nga vendi të shtetasit përkatës. Format e ekspulsit ose të largimit të dëbimit njihen sipas kuadrit ligjor rregullator, format e ekspulsit për shkak të shkeljes administrative apo për shkak të shkeljeve që burojnë nga një proces gjyqësor.
Anila Hoxha: Nga ndryshon dëbimi gjyqësor nga dëbimi administrativ? Apo siç thatë ju, të bashkëlidhur me një proces gjyqësor që mund të jetë për shkelje të ligjeve të vendit përkatës?
Ervin Pollozhani: Akt dëbimi administrativ nga dëbimi për shkak të një procesi gjyqësor penal në vetvete ndryshon për shkak të elementëve thelbësor që lidhen me autoritetin që jep këtë masë largimi. Arsyet respektive të dhënies të kësaj mase të largimit,në aspektin administrative, për shkak të shkeljes administrative të kryer, apo në aspektin penal, për shkak të cënimit të një vepre penale në shtetin anëtar të BE, për shkak të pasojave të ndryshme juridike dhe për shkak të mjeteve dhe mënyrave të mbrojtjes kundrejt këtyre masave respektive. Krahas këtyre largimeve apo dëbimeve, për shkelje administrative, për shkak të një procesi penal, ekzistojnë edhe shkelje të posaçme “sui generis” që lidhen për shkak të rrezikut që shtetasi shqiptar në një shtet anëtar të BE paraqet për cënimin e rendit apo sigurisë juridike.
Anila Hoxha: Kush e vlerëson këtë?
Ervin Pollozhani: Kjo është edhe për shkak të sjelljes së tij të evidentimit të kësaj sjelljeje në shtetin përkatës, nisur nga rreziku potencial apo nga burimi i rrezikut të shtuar që ai shfaq si në rastin e një personi që evidentohet, si një përdorues i rregullt i lëndëve narkotike, dhe që për shkak të kësaj sjelljeje ai mund të përbëjë rrezik për rendin dhe sigurinë juridike në atë shtet përkatës. Dhe autoritetet mbikqyrëse mund t’a vlerësojnë që mund të jetë edhe një rast oportun për të disponuar edhe me deportimin e tij, pa patur një proces administrativ të mirëfilltë për shkak të një shkeljeje konkrete apo pa patur një proces gjyqësor penal për shkak të një vepre penale të kryer.
Top Channel