Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin miratoi një kërkesë për mbështetje ushtarake shtesë për Shërbimin Sekret me qëllim forcimin e kapaciteteve të kësaj agjencie për fushatat zgjedhore të kandidatëve për president dhe nënpresident, njoftuan të enjten, në dy deklarata të ndara Pentagoni dhe Shërbimi Sekret.
Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh nuk dha hollësi mbi llojin e ndihmës që do të vihej në dispozicion, por zoti Austin tha se kishte dhënë udhëzime për të planifikuar dhe ofruar mbështetje ndaj Shërbimeve Sekrete në disa vendndodhje, përgjatë fushatës.
Një zëdhënës i Shërbimit Sekret tha më vonë se kjo agjenci kishte forcuar operacionet mbrojtëse pas ngjarjes së 13 korrikut në Pensilvani, ku kandidati republikan Donald Trump, ish President i Shteteve të Bashkuara, u qëllua dhe i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë.
“Në kuadër të këtyre masave, Departamenti i Mbrojtjes do t’i mundësojë Shërbimit Sekret amerikan ndihmë shtesë, në logjistikë, transport dhe në komunikim, përgjatë gjithë fushatës zgjedhore”, tha zëdhënësi i Shërbimit Sekret.
Për masat e sigurisë gjatë tubimit zgjedhor të zotit Trump në Butler të Pensilvanisë u ngritën pikëpyetje, mes shqetësimeve se si i dyshuari ishte në gjendje të hipte në një çati nga ku mund të shihte direkt podiumin ku po mbante fjalimin zoti Trump.
Shërbimi Sekret është shprehur “i turpëruar” për dështimin në marrjen e masave të sigurisë dhe drejtoresha e agjencisë dha dorëheqjen pas ngjarjes.
Një pjesëmarrës në tubim mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë sulmit. Byroja Federale e Hetimeve, FBI, nuk ka arritur ende në një përfundim se çfarë e shtyu të dyshuarin të qëllonte.
Kandidati republikan për presidenti, Donald Trump dhe Nënpresidentja demokrate Kamala Harris janë në garë të ngushtë për zgjedhjet e 5 nëntorit./VOA
Top Channel