Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë në Horën e Arbëreshëvet, në Itali për të marrë pjesë në veprimtaritë festive me rastin e themelimit të Horës.
Në vijim të vizitës, Kryeparlamentarja Spiropali përshëndeti në Konferencën mbi Gjergj Kastrioti Skënderbeun, organizuar nga Bashkia e Horës, me pjesëmarrjen e autoriteteve vendore, qytetarëve dhe përfaqësues të Diasporës shqiptare nga vende të ndryshme të botës.
Duke vlerësuar figurën e Heroit tonë Kombëtar, znj. Spiropali nënvizoi: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu është emblema solemne e kombit shqiptar, është hiri, himni, heroika dhe vetë flamuri i ndërgjegjes sonë kombëtare. Është Ati që lindi dhe Biri që mbrojti Atdheun. Është prova dhe sprova, është shembulli dhe vizioni, është ëndrra e jetuar dhe beteja e fituar në kryeluftën tonë për identitet: Perëndim që lind apo Lindje ku perëndon!”.
Kryetarja Spiropali vlerësoi edhe kontributin e komunitetit arbëresh të Horës në historinë dhe kulturën shqiptare.
“Hora e Arbëreshëvet dhe ju, arbëreshët e Horës, keni një kontribut madhor në mbijetesën dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe letërsisë arbëreshe. Hora është një qendër e rëndësishme e lulëzimit kulturor, social, politik dhe fetar të komunitetit arbëresh. Hora ka meritën si një nga kolonat mbështetëse më të fuqishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe Rilindjes Italiane dhe në luftën për bashkimin e Italisë.
Emra të ndritur nga Diaspora historike si Lekë Matrënga, Gjergj Guxeta, Marko La Piana, Lorenzo Petta, Xhuusepe Musakia, Paolo Skiroi, Dhimitër Kamarda, Gaetano Petrota, Nilo Borgia, Rosolino Petrota, Zef Skiroi, Nikola Barbato etj., si edhe nga Diaspora e re, si akademikët e shquar Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà, i bëjnë nder komunitetit arbëresh, kulturës dhe letërsisë shqipe.
Është merita e arbëreshëve që mundësoi njohjen ligjërisht, më 1999, të komunitetit arbëresh si pakicë gjuhësore historike në Itali”, u shpreh kryeparlamentarja.
Ajo gjithashtu nënvizoi: “Bashkëpunimi me komunitetin arbëresh dhe me shqiptarët emigrantë në Itali po zhvillohet në një kontekst shumë pozitiv, edhe për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministres Georgia Meloni. Partneriteti Strategjik dhe bashkëpunimi intensiv dypalësh, mbështetja e fuqishme nga Italia e integrimit evropian të Shqipërisë, marrëveshja e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Italinë për pensionet, zbatimi i Protokollit të Bashkëpunimit për emigrantët e paligjshëm, bashkëpunimi i gjerë dhe intensiv parlamentar mes Kuvendit, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, angazhimi i qeverisë italiane për mbështetjen e Kosovës, kontributi i përbashkët dhe mbështetjen për paqen dhe luftën e drejtë të Ukrainës janë disa tregues të bashkëpunimit Shqipëri-Itali, i cili asnjëherë nuk ka qenë më i mirë dhe më produktiv se sot”.
Në vijim të vizitës në vendbanimin kryesor arbëresh në Siçili, Kryetarja e Kuvendit vizitoi sot Muzeun e Kulturës Arbëreshe “Nicola Barbato” në Horën e Arbëreshëvet, ku pati mundësinë të njihte nga afër historinë, kulturën, traditat, punën dhe jetën e përditshme të komunitetit arbëresh. Gjatë vizitës, ajo shprehu vlerësimin e saj për ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit kombëtar nga ky komunitet në diasporë.
Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit vizitoi edhe bibliotekën “G. Schirò”, e cila shërben si një libër i hapur për historinë, kulturën, jetën dhe qytetërimin e Arbëreshëvet të Horës. Aty, ajo u njoh me koleksionin e gjerë të materialeve të rralla që dokumentojnë rrënjët e thella dhe trashëgiminë kulturore të arbëreshëve.
Kryetarja e Kuvendit, së bashku me Papas Janin, mori pjesë edhe në një ceremoni shpirtërore në kishën lokale, ku morën bekimin e Shën Mërisë Odigitria. Ky moment solemn u bë një lutje e përbashkët për mirëqenien e të gjithë Arbëreshëve të Horës, të Siçilisë, të Italisë, dhe për shqiptarët kudo që ndodhen në botë.
Top Channel