Dashuria, një nga emocionet më të fuqishme dhe komplekse që përjetojmë.
Referimi i shpeshtë i zemrës si “selia” e saj është i rrënjosur thellë në kulturën tonë. Nga tekstet e këngëve romantike tek shprehjet e përditshme, zemra simbolizon jetën tonë emocionale. Megjithatë ne e dimë se “vendi” i vërtetë ku “banon” dashuria nuk është askush tjetër veçse truri .
Megjithatë, se si truri ynë i përpunon reagimet emocionale, në varësi të çdo forme të ndryshme dashurie, është lajmi që është zbuluar nga një studim i fundit.
Çfarë tregoi hulumtimi?
Hulumtimi, i publikuar në Cerebral Cortex, përfshiu 55 pjesëmarrës, të gjithë prindër në një marrëdhënie të shëndetshme. Studiuesit përdorën imazhe funksionale të rezonancës magnetike (fMRI) për të matur aktivitetin e trurit të pjesëmarrësve ndërsa ata mendonin për forma të ndryshme dashurie.
Në hulumtim, pjesëmarrësve iu kërkua të imagjinonin skenarë të thjeshtë që përshkruanin situata dashurie për fëmijët e tyre, partnerët, miqtë, kafshët shtëpiake, natyrën dhe madje edhe të huajt.
Dashuria për fëmijët tanë është më e forta
Një nga gjetjet më interesante të hulumtimit ishte se dashuria për fëmijët shkaktonte reagimet më të forta të trurit. Kjo nuk u vërejt me të njëjtin intensitet në format e tjera të dashurisë, duke treguar se dashuria prindërore mund të ketë një rol unik në funksionin e trurit.
Dashuria romantike, megjithëse aktivizoi gjithashtu zona të rëndësishme të trurit, nuk shkaktoi të njëjtën përgjigje të thellë.. Megjithatë, studiuesit zbuluan se të gjitha format e dashurisë ndërpersonale aktivizonin zona të lidhura me perceptimin social, të tilla si ganglionet bazale dhe kryqëzimi temporoparietal në pjesën e pasme të kokës.
Top Channel