Thirrjet për lirimin e themeluesit të aplikacionit për shpërndarjen e mesazheve ‘Telegram” Pavel Durov, nuk i kanë lëkundur autoritetet franceze të cilat ngritën ndaj tij akuza paraprake me pretendimin se ka lejuar zhvillimin e aktivitetit të dyshuar kriminal në rrjetin që drejton.
39-vjeçarit të lindur në Rusi por që ka nënshtetësi franceze, i është ndaluar largimi nga Franca në pritje të hetimeve të mëtejshme. Durov u arrestua të shtunën në aroportin e Parisit, “Le Bourget”, në kuadër të një hetimi të nisur muajin e kaluar, mbi dyshimet për 12 vepra penale. Ai u mbajt për katër ditë në paraburgim për t’u marrë në pyetje mbi dyshimet se platforma e tij ishte përdorur për aktivitete të jashtëligjshme.
Të mërkurën, Durov u la i lirë në këmbim një garancie pasurore prej 5 milionë eurosh dhe me kushtin të paraqitej në para autoriteteve dy herë në javë. Ai akuzohet mes të tjerash se platforma e tij përdoret për materiale abuzimi seksual të fëmijëve dhe trafik droge, dhe se Telegram refuzoi të jepte informacion ose të vinte në dispozicion të hetuesve dokumente, siç e parashikon ligji. Disa zyrtarë qeveritare në Moskë e cilësuan arrestimin e tij si të motivuar politikisht dhe një provë se Perëndimi vepron me standarde të dyfishta në raport me lirinë e fjalës.
Presidenti francez Emmanuel Macron insistoi të hënën se arrestimi i Durov nuk ishte një akt politik, por pjesë e një hetimi të pavarur. Telegrami vazhdon të shërbejë si një platformë e përhapur informacioni në Ukrainë, ku mediat dhe zyrtarët shpërndajnë informacion lidhur me luftën.
Top Channel