Në seancën e 12 shtatorit, deputetët do të njihen me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, u shpreh ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, pas pyetjes së gazetarëve.
“Me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është kërkuar nga grupi parlamentar i PD dhe nga kryetari i grupit që të thirret një seancë e jashtëzakonshme parlamentare dhe kjo është në shkelje të rregullores së Parlamentit, prandaj kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur Komisionin e Ligjislacionit, ku është marrë një vendim dje dhe Klotida Bushka ka shpjeguar që në datën 12 shtator është lënë një seancë ku do të njihen deputetët me zbardhjen e vendimit të kushtetueses. Nuk bëhet fjalë për ndryshim të asnjë qëndrimi të grupit socialist. Asnjë nga raportet nuk është prekur, si ai i mazhorancës dhe ai i opozitës, qëndrojnë të njëjtë me raportet fillestare. Unë dua të theksoj se nuk bëhet fjalë për një emër të përveçëm dhe emrat e përveçëm nuk duhet të përdoren në këtë mënyrë duke krijuar problematika të pavërteta. Bëhet fjalë për një procedurë parlamentare duke pasur kontestime nga palë opozitare është ndjekur një rrugë ligjore dhe ne do dalim me një produkt që nuk ka lidhje me emrin e përveçëm, por ka lidhje me procedurën”.
Në ditë më parë, Këshilli i Legjislacionit vendosi që saga e mandatit të Olta Xhackës të vijojë në seancën e 12 Shtatorit në parlament.
Ndërkohë, ish-kryetari grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi, disa javë më parë u shpreh se socialistët po shikojnë mundësinë e çuarjes së vendimit të kushtetues për interpretim Komisionit të Venecias.
Në seancën e 12 shtatorit, pritet për t’u parë nëse socialistët do të avancojnë me idenë e marrjes opinion nga Venecia.
Top Channel