Me Zv.Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon.
Hasani dhe Fajon gjithashtu zhvilluan një deklaratë të përbashkët për mediat. Fajon shprehu sërish mbështetje për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Hasani: Vizita e sotme shënon një moment të spikatur në marrëdhëniet tona dypalëshe, të cilat janë bazuar përherë në respekt e mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim të ngushtë, si dy vende mike e aleate.
Sllovenia ka qenë dhe mbetet një model për ne, jo vetëm si vendi në rajon që u integrua më shpejt nga të tjerët në Bashkimin Europian, por edhe për zhvillimet demokratike dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës.
Gjatë takimit diskutuam për një sërë çështjesh të rëndësishme, dy dhe shumëpalëshe, por një vend të veçantë zuri rrugëtimi ynë drejt Europës së bashkuar. Përgjatë gjithë këtij harku kohor, Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të domosdoshme.
Qeveria shqiptare ka punuar fort për zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin në BE, veçanërisht në fusha të tilla si reforma në Drejtësi, ku vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, janë hapa pozitivë, ndërkohë që zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm është një faktor thelbësor. Lufta kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka shënuar një përparim të dukshëm në këtë drejtim, ku nuk mungojnë rastet e profileve të lartë dhe të një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikase.
Arritjet në këto fusha bëjnë që progresi ynë të jetë i prekshëm dhe i dukshëm. Qeveria dhe institucionet janë të përkushtuara për të ruajtur vrullin në përpjekjet tona për reforma dhe për të garantuar që Shqipëria të vazhdojë të përmbushë standardet e larta të kërkuara për anëtarësim.
Ndërtimi dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve është një tjetër fokus kyç. Ne po investojmë në trajnime dhe burime për të siguruar që institucionet tona mund të zbatojnë dhe monitorojnë në mënyrë efektive politikat dhe rregulloret që lidhen me BE-në.
Sllovenia ka qenë një avokate e fuqishme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka dhënë një shembull frymëzues për reformat e suksesshme që një vend mund të bëjë për t’u integruar në familjen evropiane. Kjo mbështetje ka qenë vendimtare për ne, ndaj jemi të vendosur që të vazhdojmë në këtë rrugë me përkushtim dhe vendosmëri.
Në këtë kontekst, dua t’i shpreh mirënjohjen tonë koleges Fajon, për kontributin e Sllovenisë, jo vetëm në drejtim të Shqipërisë, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta siguroj atë që anëtarësimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik.
Bashkarisht konstatuam se marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel shumë të mirë. Ne jemi të angazhuar për t’i thelluar edhe më tej ato, duke eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi në fusha si ekonomia, arsimi, kultura, dhe mbrojtja. Marrëveshja e nënshkruar para pak ditëve ndërmjet dy ministreve të Bujqësisë, nxit e mundëson rritjen e bashkëpunimit dhe sigurisë ushqimore. Së afërmi do të nënshkruhen dhe një memorandum në fushën e turizmit dhe një protokoll ndërmjet ministrive të arsimit për bashkëpunim në fushën e arsimit, të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë.
Vlerësimi ynë i përbashkët është se ka ende mjaft për të bërë sidomos në fushë të shkëmbimeve tregtare, investimeve, por edhe në sektorë si shëndetësia, turizmi, arti e kultura. Përfitoj nga rasti të theksoj se kompanitë sllovene janë të mirëpritura për të ardhur e investuar në Shqipëri. Këtu kam parasysh jo vetëm kapitalet financiare, por edhe kulturën e punës e seriozitetin e tyre në kësi angazhimesh.
Dy vendet tona kanë një histori të pasur bashkëpunimi dhe një të ardhme të sigurt. Unë besoj se së bashku do të vazhdojmë t’i kultivojmë këto marrëdhënie mbi themelet e shëndoshë të miqësisë dhe partneritetit strategjik, si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në ato shumëpalëshe, në gjirin e nismave rajonale, por edhe të organizatave ndërkombëtare ku dy vendet aderojnë, për një rajon në paqe e të sigurtë dhe një Europë të fortë, demokratike.
Në përfundim, dua ta falënderoj zonjën Ministre për vizitën, gatishmërinë për të marrë pjesë në konferencën e ambasadorëve dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Fajon: Shpresoj që Shqipëria të ketë mundësinë që të hapë grupin e parë sa më parë të jetë e mundur dhe të shpresojmë që në shtator të kemi një përgjigje pozitive për parafinanciomin e të gjitha reformave që janë të nevojshme. Sllovenia gjithmonë do të mbështesë integrimin Shqipërisë në BE. Është nevojë strategjik për të pasur vendin tuaj në rajon dhe Sllovenia do të mbështesë Shqipërinë dhe vendet e tjera. Shpresoj që BE të jetë po kaq gati për t’ju pritur maksimumi në vitin 2030. Dëshiroj të shpreh përkrahjen për planin e zhvillimit, për reformat dhe agjendën që kanë paraqitur kohët e fundit në Komisionin Evropian. Vitin që vjen do të kemi kosullatë në Durrës”, tha ajo.
Top Channel