Opozita i është drejtuar me dy kërkesa për informacion Bashkisë së Tiranës. Ditën e sotme në kërkesat që mbajnë firmën e nënkryetarit të këshillit bashkiak të bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti dhe firmën e Jonathan Pano, nënkryetar i komisionit të financave dhe Buxhetit në këshillin bashkiak të kryeqytetit, kërkohet informacion mbi një marrëveshje të lidhur nga ky institucion dhe dy kompanive britanike dhe gjermane.
Në kërkesën e dytë, opozita kërkon informacion mbi auditimet e bëra në 8 vitet e fundit në këtë bashki.
“Disa ditë më parë, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Bashkia Tiranë (projekti “Fillo me një ide – Fito një intership”), në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Tiranë njoftoi lidhjen e dy marrëveshjeve midis Bashkisë Tiranë dhe dy kompanive, njëra britanike dhe tjetra gjermane, me qëllim rritjen e transparencës së ekzekutivit të Kryeqytetit. Po ju drejtohemi me këtë kërkesë për të marrë informacion të plotë mbi këto dy marrëveshje, dhe më konkretisht:
Kopje të vulosura dhe të dy marrëveshjeve të firmosura, përfshirë anekset.
Listën e personave që kanë përfaqësuar Bashkinë Tiranë gjatë hartimit të dokumentave, diskutimeve midis palëve, shkëmbimeve zyrtare midis palëve (format shkresor dhe elektronik, negociatave midis palëve, etj (NjHD, KVO, grupe pune negociate, etj).
Kopje të vulosura (dhe me faqe të numëruara) të procedurës së ndjekur për secilën prej dy marrëveshjeve, që prej momentit të shpalljes së interesit nga ana e Bashkisë Tiranë, komunikimet midis palëve (shkresore dhe elektronike), procesverbalet e takimeve, procesverbalet e negociatave, etj deri në lidhjen e marrëveshjeve të sipërpërmendura.
Gjithashtu, lutem na informoni zyrtarisht në përgjigjen tuaj:
A parashikohen kosto financiare për buxhetin e Bashkisë Tiranë këto dy marrëveshje? Nëse po, sa përllogaritet kosto totale e secilës marrëveshje (totale dhe sipas viteve)? Nëse po, a janë miratuar kostot financiare të këtyre dy marrëveshjeve në buxhetin vjetor 2024 dhe PBA-në 2024-2026? Konkretisht në cilin artikull buxhetor?”, thuhet në këkresën në lidhje me kontratën me dy kompanitë e huaja.
Ndërkohë në atë për auditimin, theksohet mes të tjerash: Ju lutem, përshkruani hap pas hapi procesin e auditimit të brendshëm në Bashkinë e Tiranës, duke përfshirë sa shpesh kryhen auditime të brendshme në secilin nga departamentet, cilat janë procedurat e ndjekura gjatë kryerjes së auditimeve të brendshme, dhe a ekzistojnë protokolle specifike që ndiqen? Sa është numri dhe përbërja e ekipeve të auditimit të brendshëm dhe cilat janë kualifikimet dhe eksperienca e anëtarëve të këtyre ekipeve? Cili është afati kohor standard për përfundimin e një auditimi të brendshëm? A ekziston një politikë e menaxhimit të riskut brenda procesit të auditimit? Nëse po, ju lutem përshkruani këtë politikë dhe mënyrën e zbatimit të saj. Çfarë kontrollesh dhe balancesh janë vendosur për të siguruar pavarësinë dhe objektivitetin e auditimeve të brendshme?
Top Channel