Pas fitores në garën për bashkinë e Himarës, Tavo mesazh falënderimi për mbështetësit: Më konsideroni mik! Jeni shtysë për të shërbyer më mirë

06/08/2024 21:33

Vangjel Tavo, kryebashkiaku i ri i Himarës, ka falënderuar të gjithë mbështetësit e tij në një mesazh të lënë në faqen e tij të Facebook-ut.

Tavo shprehet mirënjohës për përkrahjen, teksa shton se “konsideron gjithësecilin mik të vërtetë dhe shtysë e forcë për të shërbyer më shumë, për të drejtuar më mirë, e për t’i shpenzuar të gjitha energjitë në përmirësimin e jetës së banorëve të thjeshtë dhe zhvillimin dhe transformimin e komunitetit”.

Mesazhi i plotë:

Të nderuar miq, dashamirës e mbështetës kudo që jeni,

Kam marrë prej jush me mijëra e mijëra mesazhe urimi përmes telefonit celular dhe rrjeteve sociale, e ju jam tejet mirënjohës për çdo urim, fjalë e inkurajim, e mbi të gjitha për sinqeritetin dhe dashamirësinë e thellë njerëzore që keni përçuar përmes tyre, që më kanë ngazëllyer e gëzuar pa masë e më kanë bërë të ndihem një njeri i privilegjuar me kaq shumë e shumë miq në katër anët e vendit, në shtetet fqinje, si edhe në kontinentet e largëta.

Sepse, a nuk është kjo pasuria më e madhe që mund të ketë njeriu?! A nuk është pikërisht kjo trashëgimia më e vyer që mund të lihet në këtë jetë?! Dhe, a ka bekim më të madh se sa të kesh kaq shumë bashkëudhëtarë të përzemërt në rrugëtimim njerëzor?!

Në pamundësi fizike për t’ju falenderuar individualisht po jua shpreh mirënjohjen time publikisht: Faleminderit të gjithëve nga zemra!

Faleminderit gjithësecili prej jush. E ju uroj shëndet e mbarësi në jetën dhe familjet tuaja. Dhe kurrë mos e harroni se dashamirësia dhe respekti juaj ndaj meje janë reciproke.

Ju e vlerësoni dhe e konsideroni Vangjel Tavon mik, ndërsa unë ju siguroj se e konsideroj gjithësecilin prej jush mik të vërtetë dhe shtysë e forcë për të shërbyer më shumë, për të drejtuar më mirë, e për t’i shpenzuar të gjitha energjitë e mia në përmirësimin e jetës së banorëve të thjeshtë dhe zhvillimin dhe transformimin e komunitetit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA