“Kriminelët bashkëpunojnë me njerëz të dobët të drejtësisë” ish-kryeprokurori Hajdari: Pas zgjedhjeve, Shqipëria do t’i nënshtrohet një reforme të thellë

01/08/2024 22:11

Ish-kryeprokurori Shkëlqim Hajdari i ftuar në “Breaking” me Dafina Hysën foli për reformën zgjedhore, SPAK-un dhe reformën në inspektorate.

Ai tha se kriminelët bashkëpunojnë me njerëz të dobët të sistemit të drejtësisë. Hajdari shtoi se prokurorët e SPAK shumë shpejtë do të hetojnë kolegët e tyre.

Konstitucionalisti Hajdari vijoi më tej duke sqaruar se pas zgjedhjeve Shqipëria do të përballet me një reformë të thellë në drejtësi.

Dafina Hysa: Problemi i bazës ligjore, i sistemit në tërësi, mentalitetit të shqiptarëve…

Shkëlqim Hajdari: Ka qenë më keq mentaliteti i shqiptarëve, kam përshtypjen se po zgjohen, sidomos rinia shqiptare. Jam i bindur, e shikoj këtë, që për disa vite jam i bindur që edhe Shqipëria do të bëjë ato reforma, jo për të qenë brenda por ato që i kupton çdo njeri sot, që duhen bërë për të pasur një vend normal.

Për të pasur përfaqësues normal të njerëzve, që sjellin mungesë transparence, rrisin nivelin e paligjshmërisë në administratë. Pas këtyre zgjedhjeve, kam përshtypjen se këto zgjedhje do të bëjnë domosdoshmëri, që Shqipëria do të bëjë një reformë të thellë, të qetë, lista të hapura edhe për këshilltarët, mocion besimi dhe mosbesimi…

Dafina Hysa: Çfarë ju bën të besoni që do të kemi këto ndryshime rrënjësore?

Shkëlqim Hajdari: Është domosdoshmëri e kohës, jemi në proces integrimi në BE. Disa parametra të demokracisë, që është ndarja, balancimi i pushteteve, transparenca e llogaridhënia. Janë parametra dhe standarde që do të prodhojnë bukën, që janë kapitujt, që duhet të plotësosh për t’u bërë pjesë e BE-së.

Dafina Hysa: Në vlerësimin tuaj si do të shkojë, si do të shkojë zbardhja e SKY dhe Encrochat?

Shkëlqim Hajdari: Këto do të jenë gjëra normale që do të zhvillohen vrullshëm tek ne, në Itali ishin të përditshme këto. Ju do të shikoni që prokurorët e SPAK do të hetojnë kolegët e tyre. Ka mundësi, krimi i organizuar bashkëpunon me njerëz të dobët në sistemin e drejtësisë.

Brenda SPAK nuk përjashtohet mundësia që të kemi diversanta, në kuptimin njerëz që nuk kuptojnë dhe dërgojnë e marrin lajme të njerëz të krimit të organizuar ose politikanëve të lartë. Sot me kushtet e SPAK edhe nëse ka ndonjë që bën lëmsh, edhe ato do të vijë një ditë që do të dalin para drejtësisë.

Dafina Hysa: Procesi i vetting-ut, rasti i fundit Zarka, që para një muaji e kaloi vetting-un. Është vlerësuar siç duhet?

Shkëlqim Hajdari: Nuk kanë pasur mundësi për të zbuluar veprimtarinë e sofistikuar të prokurorëve. Ajo ka qenë një veprimtari që ranë në dorë chat-et e tyre. Vetingu për mendimin tim këtu nuk ka faj. Burimet që shkojnë tek SPAK janë të shumta. Tek SPAK kanë besim dhe shkojnë bëjnë denoncime, bashkëpunojnë. SPAK është duke punuar në kushte të vështira.

Dafina Hysa: Reforma në inspektime, a hyjnë ato në çështjet e antikorrupsionit, ku e keni fokusuar punën?

Shkëlqim Hajdari: Ka njerëz në Shqipëri që e dinë që reforma në inspektime është më e rëndësishme pas asaj në drejtësi. Sepse ekonomia shqiptare, sipërmarrja, ka vetëm një metodë që të normalizohet për tu përshtatur në standardet ndërkombëtare, që të përballojë konkurrencën. Kjo bëhet vetëm me anë të inspektimeve.

Dafina Hysa: Cilat janë sfidat që përballeni?

Shkëlqim Hajdari: Draft-ligji i ndryshimit thellësisht për ligjin e organizimit dhe funksionimit të inspektimit ka marrë miratimin e qeverisë. Në shtator besoj që kalon nëpër komisionet parlamentare për t’u votuar. Për herë të parë në Shqipëri ne inspektimin e bëjmë për të mos qenë barrë për biznesin, por rregullator. Ne kemi marrë një reformë të madhe që për herë të parë kur shkohet për inspektim nuk ka gjobë, por këshillime…

Inspektorët do të kalojnë në një konkurs, pastaj me kohën ndahen detyrat. Merita për të çuar përpara këtë reformë është e kryeministrit, Edi Rama, i cili ka orientuar dhe ngulur këmbë që ne inspektimin do ta bëjmë autonom, proces profesional jo me ndikim në emërime nga ministrat. Nuk ka qenqë e lehtë për të arritur këtu, por ka qenë meritë e Ramës. Do të ketë 12-13 VKM. Kjo reformë do të dojë 2 vite e gjysëm.

Pasi të mbarojë kjo reformë që është nisur në rrugë të mirë, Shqipëria bën një reformë në fushën e entit-rregullator në ekonominë shqiptare të standardit të pjesëve më të mira të produkteve që merr në reformën në drejtësi. Unë pas kësaj reforme të madhe mund të shoh ndonjë vend pune tjetër, nuk rri më inspektor i përgjithshëm.

Dafina Hysa: Prokuror sërish?

Shkëlqim Hajdari: Jo nuk e di, nuk jam kthyer asnjëherë në një vend pune që kam bërë në këto 35 vite pune në shtet. Por me mbarimin e kësaj reforme ehe ndonjë drejtues politik ose ministër, që ka thënë se kjo reformë është bërë për të fuqizuar zotin Hajdari, do të bindet që është bërë për Shqipërinë, për biznesin.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA