Shqipëria ka fituar një tjetër çështje në arbitrazhin ndërkombëtar ICSID, kësaj radhe me kompaninë Durres Kurum Shipping SH.P.K.
Pretendimet e Kompanive Durres Container Terminal SH.A, Metal Commodities Foreign Trade Corp. dhe Altberg Developments LP, lidheshin me ndërprerjen e koncesionit mbi terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit. Paditësit kërkonin dëmshpërblim në shuma që tejkalonin vlerën e 100 milionë dollarëve amerikanë.
Nga ana e saj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes argumenteve ligjore e ka fituar këtë çështje në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar.
Tribunali i gjykatës së arbitrazhit ICSID unanimisht vendosi që koncesioni u ndërpre në respektim të legjislacionit vendas nga gjykatat shqiptare sipas procedurës së rënë dakord në kontratë dhe hodhi poshtë pretendimet e Paditësve që një ndërprerje e tillë ishte kryer me qëllim dhe jo në mënyrën e duhur nga autoritetet shqiptare, konkretisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Tribunali gjithashtu urdhëroi Paditësit të paguajnë shumicën e shpenzimeve dhe kostove të Republikës së Shqipërisë në këtë proces arbitrazhi.
Rezultati i këtij procesi u arrit nga puna e bërë nga grupi i punës, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti Portual Durrës, si dhe me mbështetjen e studios ligjore ndërkombëtare Freshfields Bruckhaus Deringer.
Ky vendim vjen pak kohë pasi një tjetër çështje e rëndësishme u fitua nga shteti shqiptar në gjykatën ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) me seli në Paris, e cila dha vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë (MIE) dhe Albpetrol.
Top Channel