Gjykata e Posaçme dënon Gjergj Cukalin me 25 vite burg, Enver Jamaku dhe Ermond Jamaku ga tetë vite burg, Blendi Deda 20 vite, Paris Prenga 18 vjet dhe Flor Abazi 19 vite, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.
Gjergj Cukali, i njohur si i forti i “Myslym Shyrit” është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit.
Cukali akuzohet si porositësi i vënies së tritolit në makinën e biznesmenit Gjon Mena në Kamëz më 9 shkurt të vitit 2021. Policia për atentatin me tritol në Kamëz, arrestoi Gjergj Cukali dhe dy vëllezërit, Ermond dhe Enver Jamaku.
Por historia e tij kriminale nuk nisi në 2021-shin, por në 2004-ën, ku u akuzua për peng marrje.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.
Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Ëillson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.
Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.
Cukali kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Atë kohë Top Chanel ka siguruar dokumentet e falsifikuara me identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arriti të dilte. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumentoi se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.
Gjergj Cukali sërish nuk arriti të qëndronte dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë.
Në vitin 2019 ai u arrestua si i akuzuari kryesor për vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar.
Top Channel