Rritet çmimi i biletave Korçë-Tiranë, shtrenjtohet me 200 lekë ndërqytetas për shkak të luhatjes së tregut të karburanteve
Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë ekstraduar nga Italia dhe Zvicra.
Nga Italia u ekstradua 50-vjeçari me tre emra, S. C. alias A. D. alias S. C., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Gjirokastrës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Shtetasi italian S. C., gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive, për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.
Nga Italia u ekstradua po ashtu Enea Korreshi, 31 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një person tjetër, ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë.
Nga Zvicra u ekstradua drejt Shqipërisë, Xh. K., 39 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.
Xh. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së.
Top Channel