Përleshje për zgjedhjet në Venezuelë, opozita nuk njeh rezultatin! SHBA dhe Brazili, thirrje për transparencë

31/07/2024 12:38

Mijëra venezuelas u mblodhën të martën, në protesta paqësore për të mbështetur opozitën, një ditë pasi 11 persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në protestat kundër fitores së kontestuar në zgjedhje të presidentit Nicolas Maduro.

“Liri, liri” dhe “Nuk kemi frikë”, ishin disa nga sloganet që protestuesit brohoritën në kryeqytetin venezuelas, Karakas, teksa liderët opozitarë po insistojnë se kanë fituar bindshëm zgjedhjet.

Përderisa po rriten thirrjet ndërkombëtare që Këshilli Kombëtar Zgjedhor të publikojë rezultatet e detajuara të zgjedhjeve të së dielës, që këshilli tha se i fitoi Maduro, presidenti u është përgjigjur thirrjeve ndërkombëtare me kërcënime.

Sipas tij, opozita duhet të mbahet përgjegjëse për “dhunën kriminale, të plagosurit, të vdekurit dhe shkatërrimin” që lidhen me protestat.

Megjithatë, organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, Foro Penal, tha se të paktën 11 persona, përfshirë dy minorë – janë vrarë në atë që kreu i kësaj organizate, Alfredo Romero, e cilësoi si “krizë e të drejtave të njeriut”.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai brazilian Luiz Inacio Lula da Silva i bënë thirrje të martën qeverisë së Venezulës të bëjë publike të dhëna të detajuara të votimeve për zgjedhjet presidenciale.

Autoritetet zgjedhore kanë thanë se zgjedhjet i fitoi Presidenti Nicolas Maduro, por opozita thotë se kandidati i tyre, Edmundo Gonzalez, siguroi mbi dyfishin e votave në zgjedhjet e së dielës.

Në një deklaratë të përbashkët pas një telefonate gjatë së cilës diskutuan zgjedhjet në Venezuelë, Presidenti Biden dhe Presidenti Lula da Silva, aleat i zotit Maduro, thanë se “bien dakort për nevojën e publikimit të menjëhershëm të të dhënave të plota, transparente dhe të detajuara në nivel qendrash votimi nga autoritetet zgjedhore venezueliane”.

Disa zyrtarë të vendeve të tjera të Amerikës Latine nuk e kanë njohur fitoren e zotit Maduro. Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni ka shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA