“Palinuro”, anija shkollë e marinës ushtarake italiane, që ka ndaluar për një vizitë 3 ditore në portin e Durrësit është një nga 7 anijet më të vjetra ushtarake ende në shërbim.
Për tri ditë rresht, anija 90-vjeçare ka hapur dyert për publikun duke demonstruar madhështinë dhe bukurinë e një anijeje-dëshmi e historisë së pasur detare të Italisë.
Samuele Mondino, Komandant i anijes tha: “Është një anije e veçantë dhe detyrat e saj janë të përgatisë brezat e ardhshëm të detarëve ushtarakë, si dhe të bëjë të njohur Italinë jashtë vendit. Nuk është hera e parë e Palinuros në Shqipëri, por për mua si komandant dhe ekuipazhin po. Kemi hapur dyert dhe njerëzit janë të interesuar. Bëjnë pyetje. Edhe ekuipazhi ka mundur të vizitojë qendrën e qytetit, të shkojnë në plazhet pranë dhe të flasin me vendasit.”
E ndërtuar në vitin 1934 si anije tregtare franceze, ajo kaloi në pronësi të marinës ushtarake italiane në mesin e viteve ’50 të shekullit të kaluar dhe që atëherë ka trajnuar kadetë të panumërt detar, ka marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme historike dhe ka promovuar diplomacinë detare dhe shkëmbimin kulturor në mbarë botën.
Vizitorët u njohën nga afër me rëndësinë historike të Palinuro-s, dizajnin elegant dhe rolin e saj.
E emëruar sipas lundruesit të lashtë grek Palinurus nga kryevepra e Virgjilit “Eneida”, ndërsa po i afrohet njëqindvjetorit, anija vazhdon të lundrojë dhe të frymëzojë brezat e rinj teksa mbetet simbol i trashëgimisë detare të Italisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të detarit, traditës dhe miqësisë ndërkombëtare.
Top Channel