Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, pretendon se në Himarë po regjistrohen qytetarë që nuk janë banorë të kësaj bashkie, me qëllim manipulimin e zgjedhjeve të 4 gushtit.
“Biznesmenë shakaxhinj dhe gaztorë të oborrit të Ramës që jetojnë në Palasë apo Dhërmi për disa javë në verë, do të vendosin se kush e qeveris Himarën”, tha Kaso, sipas të cilit diferenca e numrit të zgjedhësve, nga lista e prill 2023 në listën korrik 2024 është 252.
“Edi Rama dhe Vangjel Tavo po importojnë nga Tirana, Vlora dhe Fieri banorë dhe votues part time për të manipuluar, edhe njëherë tjetër, zgjedhjet në bashkinë e Himarës. Duam t’i bëjmë me dije publikut dhe autoriteteve përkatëse se lista përfundimtare e zgjedhësve, e prillit 2023, është fryrë duke e shtuar me 311 votues listën përfundimtare të korrikut 2024.
Këta alienë nga planeti patronazhist i Ramës, pa lidhje me Himarën, janë regjistruar për të mundësuar një rezultat të favorshëm, për t’ja dhënë në tavë zgjedhjet Tavos së Ramës.
Këta 311 të transferuar në Bashkinë Himarë janë si më poshtë:
90 nga bashkia Tiranë;
68 nga Bashkia Vlorë;
43 nga Bashkia Sarandë;
17 nga Bashkia Fier;
Në total, duke pasur parasysh transferimet, votuesit për herë të parë, ndarjet nga jeta, diferenca e numrit të zgjedhësve, nga lista e prill 2023 në listën korrik 2024 është 252, në harkun kohor të një viti.
Ndërkohë, në harkun kohor të dy vjetëve 2021-2023, numri i zgjedhësve ne këtë bashki është ulur me 8 zgjedhës.
Janë 157 raste të zgjedhësve me të njëjtin kod vendbanimi (brenda trungut familjar) që votojnë në QV te ndryshme, ndërkohë që ky numër ka qenë 32 për zgjedhjet e 14 majit (lista e prill 2023).
Ky krahasim mjafton për të kuptuar se shtimi është artificial dhe është bërë me synime të manipulimit paraprak të rezultatit të zgjedhjeve në Himarë.
I trembur nga pësimi i vitit të shkuar me Fredi Belerin dhe më shumë pas alternativës së Petro Gjikurisë që koalicioni opozitar u ofron zgjedhësve të Himarës, një shqiptaro-amerikan të ndershëm, Edi Rama ka porositur oligarkët e tij në rezortet e Jonit që të regjistrojnë kë të mundin si votues në Himarë.
Pas ‘investitorëve strategjikë’ të shpikur nga rrethi i ngushtë për të betonizuar Bregun, Rama po dërgon në Himarë ‘votues strategjikë’, të dalë nga rrethi i oligarkëve të tij.
Biznesmenë shakaxhinj dhe gaztorë të oborrit të Ramës që jetojnë në Palasë apo Dhërmi për disa javë në verë, do të vendosin se kush e qeveris Himarën.
Dhe, kush më mirë se Tavo i Edit mund t’i mbajë ata në tavën e benefiteve, nga të cilat përfitojnë ata dhe humbasin himarjotët.
I bëjmë thirrje Komisionerit të Zgjedhjeve të monitorojë dhe raportojë për situatën dhe organizatave partnere ndërkombëtare të mbajnë shënim dhe të reagojnë për këtë shtrembërim të hartës elektorale dhe vullnetit të votuesve himarjotë.
Partia Demokratike dhe koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, janë të sigurt në fitoren e Petro Gjikurisë, një kandidati për Himarën e himarjotëve, jo oborrtarëve të Ramës, pushtues të vijë së parë të bregdetit jonian”.
Top Channel