Presidenti Nicolás Maduro ka fituar zgjedhjet presidenciale të Venezuelës, sipas rezultateve të pjesshme të shpallura nga këshilli zgjedhor.
Kreu i Këshillit Kombëtar Zgjedhor i cili është një aleat i ngushtë i Maduro, tha se me 80% të votave të numëruara, Presidenti Maduro kishte 51% të votave, krahasuar me 44% për rivalin e tij kryesor.
Opozita venezueliane e hodhi poshtë njoftimin si mashtrues dhe premtoi të kundërshtojë rezultatin. Ajo tha se kandidati i saj, Edmundo González, kishte fituar me 70% të votave dhe këmbënguli se ai ishte presidenti i zgjedhur i ligjshëm.
Opozita tha se numërimi i votave si dhe exit poll-et, treguan se zoti González kishte një avantazh prej 40 pikë përqindjeje ndaj presidentit aktual. Partitë opozitare ishin bashkuar pas zotit González në një përpjekje për të rrëzuar presidentin Maduro pas 11 vitesh në pushtet. Sondazhet e opinionit të kryera përpara zgjedhjeve kishin sugjeruar që zoti González do ta mundte presidentin. Rezultati i zgjedhjeve do të ketë pasoja shumë përtej vendit të Amerikës së Jugut me 29.4 milionë banorë.
Gjatë 10 viteve të fundit, 7.8 milionë njerëz janë larguar nga Venezuela për shkak të krizës ekonomike dhe politike në të cilën vendi u zhyt nën administratën Maduro.
Sondazhet e kryera në prag të zgjedhjeve sugjerojnë se eksodi tani mund të rritet, me një sondazh që sugjeron se një e treta e popullsisë do të emigronte.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ishte ndër ata që shprehën skepticizmin e tij pas shpalljes së rezultatit nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor, organ i cili dominohet nga besnikët e qeverisë. Ai tha se SHBA kishte “shqetësime serioze se rezultati i deklaruar nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian”.
Presidenti kilian, Gabriel Boriç, tha gjithashtu se rezultati ishte “i vështirë për t’u besuar”. Votimi në Venezuelë është elektronik. Votuesit klikojnw një buton të caktuar për kandidatin e tyre të preferuar në një makinë votimi
Top Channel