Duke kujtuar hapat e ndërmarra të Partisë Socialiste për miratimin e reformës në drejtësi, një plan i nisur që në 2006 në kohën kur ishin në opozitë, deputeti Fatmir Xhafaj shfaqi bindjen për të vijuar reformimin në të njëjtën frymë me një tjetër projekt madhor për të luftuar korrupsionin.
Xhafaj hodhi poshtë idenë se reforma e re do cenojë atë të shkuarën, si dhe ju kërkoi socialistëve të lënë mënjanë egon personale e të punojnë bashkarisht për përmirësimin e drejtësisë.
Xhafaj: Me gjithë vitet jo më të pakta mbi supe, eksperiencën dhe sprovat e një kohe të gjatë, që bëhen të vështira edhe për t’u numëruar, emocionet e daljes para jush, socialistëve dhe mbështetësve tanë kudo nga na ndjekin, mbeten po ato të herëve të para sapo ulesh për të shkruar një fjalë për një event kryesor si ky i sotmi.
Pyes veten nganjëherë se pse sa më shumë kalon koha, duket sikur kristalizohet akoma edhe më shumë marrëdhënia me këtë familje të përbashkët politike, sikur shumëçka që deri dje merrte rëndësi kalon në plan të dytë e të tretë dhe në plan të parë dalin më në pah momentet e pasazhet kyçe të historisë sonë, të cilën e kemi bërë së bashku me energjitë, përpjekjet, peripecitë, sakrificat dhe përkushtimin shpirtëror e fizik.
Nuk besoj se është thjesht nostalgjia e dikujt që i ka jetuar të gjitha kohët e mira e më pak të mira të kësaj familjeje të madhe, po është me siguri edhe vetëdijësimi më i madh për sa shumë kemi bërë. Po besoj unë është edhe krenaria e të qenit pjesë e këtij komuniteti me emrin Partia Socialiste të Shqipërisë, i cili ka lënë jo pak shenja të mira, në historinë shpesh të trazuar të progresit të vendit në këto 33 viteve të ekzistencës sonë si forcë politike.
Koha ka ikur shpejt dhe kjo sallë e tregon se sa kanë ndryshuar edhe fizikisht shumë nga ne, por çka ka mbetur po njëlloj është vullneti ynë për t’u bashkuar rreth atyre motiveve që na kanë sjellë këtu nga rrugë të ndryshme, por për të njëjtin emër, flamur, libër vlerash e konceptesh mbi angazhimin politik.
I njëjtë ka mbetur edhe virtyti ynë i bashkimit pas çdo stuhie dhe përpara çdo beteje të përbashkët, me synimin për të dalë gjithnjë e më të fortë rreth kësaj force politike, e cila ka ditur të na mbajë kokën lart, si kur shohim mbrapa, si kur shohim drejt së ardhmes.
E s’ka shpërblim më të madh, se sa të dish që në kohën e duhur ke bërë edhe ti gjënë e duhur, falë forcës politike që ka shërbyer si busull orientuese gjithnjë në kahun e drejtë të historisë. Fundja ky është edhe çmimi më i madh i një rruge betejash politike, kjo është edhe pasuria më e madhe që një forcë politike krijon dhe le trashëgimi për gjeneratat e tjera: Krenaria përballë historisë!
Si të mos jemi krenarë për rrugën e madhe që i kemi shtruar vendit tonë, duke mishëruar interesin kombëtar, vullnetin shtetndërtues, reformat e gjithanshme, që kanë si kryefjalë sundimin e ligjit, cka ka përcaktuar në esencë vetë ADN-në e Partisë Socialiste.
E kjo nuk është një klishe politike, por një fakt i pakontestueshëm historik, një devizë krenarie që na nderon ne që jemi pjesë aktive e kësaj partie sot, po nderon edhe më të rinjtë që na janë bashkuar e të tjerë që ftojmë të na bashkohen.
Kjo familje politike është ajo që më 1998 e bëri vendin me të parën Kushtetutë moderne, në një proces që ja doli mbanë ta kthejë në një triumf historik, pavarësisht një bojkoti fuqimisht absurd nga kundërshtarët tanë politikë, të cilët fatkeqësisht edhe sot e gjithë ditën vijojnë me të njëjtin avaz, me po të njëjtin metër, me po të njëjtën mendësi. Na vjen vërtetë shumë keq që kanë mbetur po ata që ishin shekullin e kaluar, po nuk them dot që na vjen keq që marrin po atë rezultat që do të marrin edhe vitin tjetër.
Është Partia Socialiste ajo që ideoj, udhëhoqi dhe organizoi reformën më të madhe shtetndërtuese, reformën në drejtësi, e cila me të drejtë quhet reforma më e thellë historike në këto vite tranzicioni dhe edhe ajo kaloi mes një furtune, ku të luftoje me besim për të, duhej një qartësi, një vullnet e një kurajo që kur vjen koha e vendimmarrjeve të mëdha, e gjen vetëm kjo parti dhe askush tjetër.
Sot jemi koshient që reforma në drejtësi e futi vendin përfundimisht në shtratin e një shoqërie demokratike të shtetit të së drejtës, pasi garantoi jo në letër, po në realitet, parimin kyç të demokracisë e të mirëqeverisjes: Pavarësinë e të tre pushteteve, përmes mekanizmave të fortë kushtetues, si garanci për ndarjen dhe balancën ndërmjet tyre.
Ky projekt nuk u ndërtua as në një muaj dhe as në një vit. As u importua dhe as u dhurua. Kush mendon ndryshe gabon, nuk e njeh historinë. Ai u punua nga ne, Partia Socialiste, dhe mori jetë vit pas viti e hap pas hapi, falë NESH, Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Në vitin 2006, NE socialistët që sapo e kishim nisur rrugën e gjatë të opozitarit me kurajo i propozuam maxhorancës bashkëpunimin për një paketë prej 5 reformash: reformën në drejtësi, atë territoriale, zgjedhore, në shëndetësi dhe në arsim. Ishim të vetdijshëm se po i jepnim oksigjen qeverisë së kohës, por për ne ishte më e rëndësishme Shqipëria, reformimi i shtetit se sa interesat tona elektorale. Fatkeqësisht mbas disa muajsh negocim me murin, konkretisht me kabinetin e Kryeministrit të kohës, oferta jonë politike u refuzua, duke vonuar procesin, por jo duke lëkundur ambicien tonë.
Katër vite më vonë, të gjendur mes një Shqipërie të zhytur në apati, Partia Socialiste në opozitë propozoi PAKTIN KOMBËTAR PËR DREJTËSI, një dokument ky që hidhte kolonat për reformimin e drejtësisë e cila asaj kohe llokocitej ne moçalin e plepave. Por edhe këtë herë ata që ishin rehat të sundonin kënetën, nuk donin as të dëgjonin e jo më të dilnin prej saj, ashtu sic vijojnë ende të jenë, po tanimë as Shqipëria, as drejtësia nuk është më pjesë e asaj kënete, e cila është katandisur në një batak privat ku llokoçiten veç ata.
Në vitin 2011, NE në opozitë guxuam sërish me ambicien për reformimin e drejtësisë. Duke reflektuar mbi kërkesën popullore të qytetarëve tanë dhe mbi kritikat e rekomandimet e BE, propozuam një paketë ndryshimesh kushtetuese që reformonte një pjesë të sistemit të drejtësisë, e për këtë morëm si pergjigje vetem kartonat e kuq të atyre, që populli jua nxorri kartonin e kuq dy vite më vonë, duke i nxjerrë nga fusha e qeverisjes së vendit pa kthim, për kushedi se sa kohë akoma.
Në zgjedhjet e 2013 Partia Socialiste u prezantua për herë të parë në këtë vend me të parin Program Elektoral të posaçëm, me premtimin për Reformimin e drejtësisë, program i cili u debatua për muaj të tërë në një sërë tryezash publike me profesionistët e fushës e me vetë qytetarët.
Në mandatin tonë të parë qeverisës, në Nëntor 2014, rreth 10 vjet më parë, ne miratuam ngritjen e një Komsioni të Posaçëm Parlamentar për të drejtuar e organizuar reformën në drejtësi. Dhe në vitin 2016, me mbështetjen edhe të aleatëve tanë strategjikë, u miratua projekti kushtetues për reformimin e thellë të drejtësisë, duke rilindur shpresën e vdekur prej gjeneratash për një sistem drejtësie të barabartë dhe të drejtë, të mbështetur fort në ligj dhe në prova.
Këta jemi ne, Partia Socialiste, parti e njerëzve që duan shtet, që duan drejtësi, që e duan Shqipërinë Evropiane jo me llafet që i kanë mësuar përmendësh të gjithë, por me punë, me vepra. Ne ishim, jemi dhe do mbetemi të vendosur për ta ndryshuar dhe modernizuar këtë vend, në një rrugë ku drejtësia është një korsi themelore dhe thelbësore, e ku e kemi ditur se, pikërisht pse kjo e jona është një betejë e vërtetë edhe goditjet e drejtësisë do të fillonin të ishin të vërteta, pa bërë skonto politike as për vetë ne. Madje mbase mbi të gjithë, për vetë ne!
Dhjetë vjet më parë të shkoje thjesht të dëshmoje me një kostum politik ishte e pamendueshme, por 1 dekadë më pas të mos shkosh të dëshmosh kur thirresh për të dhënë sqarime, është bërë thjesht e paimgjinueshme.
Ky është vetëm një shembull i thjeshtë për të kuptuar fuqinë që kemi ngritur me mundin e me vullnetin tonë të lirë dhe për të besuar se të gjithëve na takon ta mbështesim këtë fuqi të re të ligjit në përditshmërinë tonë. Ndaj qëndrimi i shpallur nga Kryetari Edi Rama për përgjegjësinë individuale ndaj drejtësisë – është padyshim qëndrimi i duhur, i drejtë dhe i përgjegjshëm, sepse vetëm duke e nisur nga vetëvetja ndryshimin e kulturës së zbatimit të ligjit, ne e garantojmë progresin që drejtësia duhet të bëjë pa u trazuar nga duart e politikës.
Por puna jonë, detyra jonë, detyrimi ynë për forcimin e shtetit të së drejtës jo vetëm nuk kanë mbaruar, po në dritën e rekomandimeve voluminoze të Bashkimit Evropian ato janë imperative. Prandaj edhe nën frymën e reformës në drejtësi, po vijojmë me një tjetër projekt madhor për sundimin e ligjit, antikorrupsionin dhe mirëqeverisjen.
Edhe ky projekt që e ka marrë dakordësinë e plotë të aleatëve tanë strategjikë, ka vetëm një qëllim: si ta mbështesim modernizimin e shtetit në një sërë hallkash që lidhen me mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit dhe se si ta konsolidojmë edhe më tej sistemin e ri të drejtësisë në trasenë kushtetuese mbi të cilën është ngritur.
Andaj vetëm në 1 muaj kohë, me një skuadër të motivuar, me Milvën, Evisin, Shalsin, Etildën, Erjonin, Klotildën e Tonin, me mbështetjen edhe të Kryetares Nikolla dhe stafit të Kuvendit, kemi bërë një punë shumë të madhe duke shtruar rrugën për një tjetër reformë të thellë që siç e dini synon të adresoj 3 sfida kyçe:
i)Mirëqeverisja, ii)Antikorrupsioni dhe iii)Sundimi i Ligjit.
Sfida që synojnë ndër të tjera anëtarësimin në 2030-tën të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për cka folën me qartësi e kompetencë profesionale dy ministret e njëkohësisht kryenegociatorja dhe zëvendësja e saj, Majlinda me Adean.
E gjiithë kjo do të realizohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent, profesional dhe në standartet më të mira ndërkombëtare ku do të angazhohen rreth 60-70 ekspertë të pavarur, vendas e ndërkombëtar, me mbështetjen e mbi 100 ekspertëve të angazhuar nga institucionet e pavarura, agjensitë ligjzbatuese dhe administrata publike dhe në një proces konsultimi të gjerë përmes debatesh e forumesh publike me institucionet qendrore e vendore, profesionistët e fushës si dhe drejtëpërdrejtë me qytetarët e sidomos me të rinjtë e të rejat në mbarë vendin.
Na takoi përsëri NE ta bënim këtë betejë sepse ne besojmë në ato që themi, na takon përsëri NE ta bëjmë një betejë tjetër sepse e kemi dëshmuar që dimë t’i bëjmë të tilla beteja, na takon NE ta bëjmë përsëri edhe me shtrirjen e dorës ndaj kundërshtarëve, packa se ata mbajnë mbi të topin e baltës për ne.
Unë e di që kur thuhet shumë herë një gënjeshtër, edhe ai që e di të vërtetën fillon ta besojë atë andaj dua që ta ndaj njëherë e mirë këtë gjë: Reforma e re nuk cënon asgjë nga reforma në drejtësi dhe kushdo që e shpërndan një tymajë të tillë është i frikur prej të dyjave.
Nëse për reformën në drejtësi institucionet e drejtësisë ishin objekt reformimi, me reformën e re, institucionet e reja të drejtësisë janë partner të këtij procesi reformimi, në respekt të plotë të ndarjes dhe balancës ndërmjet pushteteve.
Për mua ky është motivimi, frymëzimi dhe qëllimi i madh e i përbashkët, që më ka bërë të jem sot po aq i angazhuar sa dje, në një tjetër reformë të thellë ligjore dhe institucionale.
Tekefundit socialist të mirë, politikan të dobishëm, qytetar të përgjegjshëm nuk të bëjnë thjesht ato që ke bërë deri dje, po kontributi real që ti jep përditë!
Sfidat që kemi përpara janë të mëdha e të vështira. Përballja me to ka domosdoshmëri rienergjizimin tonë, fokusin e energjive dhe ambicien e përbashkët në reformat e mëdha duke ju larguar kurthit të rivaliteteve të krijuara nga ambiciet personale, uni – kush është kush apo edhe të mërive e qejfmbetjeve, të vjetra apo të reja qofshin.
Kërkohet vullnet, vendosmëri dhe kryesorja njerëz me integritet, të përkushtuar dhe të motivuar jo thjesht veç për karierën, por për shërbimin ndaj shtetit, ndaj qytetarëve.
Është një gjë shumë e mirë procesi i nisur me këtë Kongres, për një harmonizim më të mirë të gjeneratave brenda nesh, duke i krijuar më shumë mundësi përfshirje të rejave e të rinjve socialistë, njerëzve me energji të reja, me më shumë mundësi përfshirje individëve me integritet, shtetdashës, me dëshirën për punë dhe për të lënë gjurmë të mira me punën e tyre.
Besoj fort se ky është një tjetër projekt madhor që garanton qëndrueshmërinë e të ardhmes së familjes sonë politike ndaj e mbështes fort Kryetarin Rama në këtë nismë duke dëshiruar që këtë projekt ta çoj me cdo çmim përpara duke i dhënë një hapësirë më të madhe e më të fortë gjeneratës së re në parti, në qeveri, në legjislativ dhe në qeverisjen vendore.
Nuk ka kohë për pushim, por veç për vazhdimin me ritme të reja në udhëtimin tonë reformues. Nuk ka kohë për të kthyer kokën pas, por për të ecur përpara për Shqipërinë 2030 në BE!
Top Channel