Zjarri në Malin e Rrencit e të Shëngjinit po merr përmasa dramatike.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, deputet në zonën e Lezhës, përmes një reagimi apelon për ndërhyrje nga zjarri. Zjarri, thotë ai po rrezikon qytetarët dhe banesat.
“Flakët dhe tymi janë kudo rreth qytetit si rrezik real i çastit por edhe pak më afatgjatë për shëndetin! Deri tani, përpjekjet për ta shuar kanë qenë modeste. Duhet ndërhyrje urgjente jo vetëm nga pushteti lokal por nga qeveria qendrore me çdo mjet, mundësisht me helikopter nga ajri.
Nuk ka më kohë për propagandë. Mosveprimi po shndërrohet në krim mjedisor , në rrezik për jetën e pronat në kulmin e sezonit turistik. I bëj thirrje Kryeministrit Edi Rama, ministrit të mbrojtjes Niko Peleshi t’i përgjigjen apelit për të ndërhyrë ushtria dhe çdo institucion që mund të jetë i dobishëm. Nuk duhen fjalë dhe mbi të gjitha jo gënjeshtra, por lëvizje menjëherë e Qeverise dhe Shtetit nëse kemi ende të tilla në të vërtetë e jo në spote propogande.
Shtëllungat e tymit kanë zëvendësuar retë! Banorët po thithin tym. Zjarri nuk po djeg vetëm pemë e shkurre, por edhe seriozitetin e emergjencave civile dhe gatishmërinë për të reaguar. Nesër do të jetë vonë. Sonte duhet bërë diçka. Afër portit, punë orësh po afrohet një vatër e re zjarri. Pasojat merren me mend!”
Top Channel