Turmat u mblodhën në aeroportin kryesor të Parisit për të mirëpritur tetë atletët palestinezë që do të përfaqësojnë Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta në Lojërat Olimpike të këtij viti.
Njerëzit me ëmbëlsira, dhurata dhe trëndafila dhe duke valëvitur flamujt palestinezë i prisnin atletët ditën e djeshme, të cilët, sipas Independent, thanë se shpresonin se prania e tyre do të ishte një simbol në mes të luftës Izrael-Hamas që ka marrë jetën e më shumë se 39,000 palestinezëve. Atletët, mbështetësit francezë dhe politikanët në turmë i kërkuan Francës të njohë shtetin palestinez, ndërsa të tjerë shprehën zemërimin për praninë e Izraelit në Lojërat, pasi ekspertët e të drejtave të njeriut të OKB-së thanë se autoritetet izraelite ishin përgjegjëse për “krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”.
“Franca nuk e njeh Palestinën si një vend, kështu që unë jam këtu për të ngritur flamurin”, tha Yazan Al Baëab, një notar 24-vjeçar palestinez i lindur në Arabinë Saudite. “Ata nuk na trajtojnë si njerëz, kështu që kur vijmë të luajmë sport, njerëzit e kuptojnë se ne jemi të barabartë me ta”. “Ne jemi 50 milionë njerëz pa shtet”, shtoi ai. Thirrjet “Palestina e lirë” që bënë jehonë në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit, tregojnë se si konflikti dhe tensionet politike nuk mungojnë në Lojërat Olimpike të këtij viti.
Në maj, presidenti francez Emmanuel Macron tha se ishte gati të njihte zyrtarisht shtetin palestinez, por se hapi do të duhej të ndërmerrej “në kohën e duhur”.
Ambasadorja palestineze në Francë, Hala Abou, i bëri thirrje Francës që të njohë zyrtarisht shtetin palestinez dhe të bojkotojë delegacionin olimpik izraelit. Abou ka deklaruar më parë se ka humbur 60 të afërm në luftë.
Top Channel