Sulm ndaj linjave hekurudhore franceze para ceremonisë së hapjes së Olimpiadës në Paris! Zjarre dhe trazira në vend

26/07/2024 10:31

Linjat e trenave të shpejtësisë së lartë të Francës u vunë në shënjestër të akteve të shumta “dashakeqe”, përfshirë zjarrvënien ditën e sotme.

Kjo është përshkruar si një “sabotim i koordinuar” për të ndërprerë udhëtimin përpara Ceremonisë së Hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit.

Kompania shtetërore franceze e hekurudhave SNCF, e quajti ndërprerjen gjatë natës një “sulm masiv që synon paralizimin e rrjetit të linjave të shpejtësisë së lartë”.

Në një postim në X, SNCF tha se një numër i madh trenash u devijuan ose u anuluan dhe u kërkoi të gjithë udhëtarëve që munden të shtyjnë udhëtimin e tyre dhe të mos shkojnë në stacion.

Operatori hekurudhor tha se kjo ndërprerje goditi linjat e shpejtësisë së lartë në Atlantikun, Veriun dhe Lindjen, ku janë shkaktuar dëmtime në disa prej objekteve të saj.

Udhëtimi në këto linja është i ndërprerë, me rrjetin hekurudhor që duhet të devijojë dhe anulojë një numër të madh trenash, tha SNCF. Pritej ndërprerje gjatë gjithë fundjavës pasi ekipet e punës kryejnë riparimet.

Qendra e Trenit Rémi Val de Loire deklaroi se udhëtimi në linjat e saj hekurudhore do të ndërpritet të paktën deri të hënën, ndërkohë një zjarr ka shpërthyer pranë shinave në Courtalain, në Francën veriore duke ndikuar në shërbimet për në Paris.

Raportet vijnë vetëm disa orë para fillimit të ceremonisë së hapjes, me më shumë se 320,000 spektatorë që pritet të marrin pjesë përgjatë lumit Seine.

Ministrja franceze e Sporteve dhe Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike, Amélie Oudéa-Castera tha se ndërprerja e linjave të trenave është “një lloj sabotimi i koordinuar”.  Oudéa-Castera i dënoi sulmet në termat më të forta të mundshme dhe tha se është një gjë e tmerrshme.

“Të luash kundër Lojërave është të luash kundër Francës, kundër kampit tënd, kundër vendit tënd,” tha ajo, sipas BFMTV.

“Ne do të vlerësojmë ndikimet tek udhëtarët, atletët dhe do të sigurojmë transportin e duhur të të gjitha delegacioneve në vendet e garave,” tha ajo.

Në përgjigje të sulmeve, shefi i policisë së Parisit Laurent Nunez deklaroi se policia po rrit sigurinë dhe po fokuson fuqinë punëtore në stacionet e trenit të kryeqytetit.

Siguria në Paris është forcuar javët e fundit

Franca planifikon të vendosë rreth 35,000 policë çdo ditë gjatë Lojërave, duke arritur kulmin në 45,000 për Ceremoninë e Hapjes, tha më parë për CNN një zëdhënës në ministrinë e brendshme franceze . Përveç kësaj, 10,000 ushtarë do të vendosen në rajonin e Parisit – një përpjekje e mbështetur nga 1,800 oficerë policie nga e gjithë bota.

Shkaku i ndërprerjeve është aktualisht i paqartë. Por ka pasur trazira në rritje të brendshme, të fuqizuar pjesërisht nga zgjedhjet e fundit kombëtare që panë një betejë midis të majtës dhe të djathtës ekstreme.

Ministri i Brendshëm Darmanin konfirmoi se forcat e sigurisë kishin arrestuar një “anëtar të së djathtës ekstreme” këtë javë, i cili “dyshohej se donte të kryente veprime të dhunshme gjatë Lojërave Olimpike”. Sipas Darmanin, ai kishte një “qëllim për të ndërhyrë gjatë një faze të stafetës së pishtarit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA