Deputeti Lulzim Basha foli pak minuta para vendimit të amendamentit të tij, që parashikonte që në zgjedhjet e ardhshme, partitë politike duhet të shkonin me lista të hapura, i cili u rrëzua me shumicë votash
“Të nderuar bashkëqytetarë, edhe amendamenti që iu kam paraqitur, ka të njëjtin qëllim si amendamenti i sapo hedhur poshtë i paraqitur nga një grup deputetësh dhe i prezantuar nga Mediu. Me pak fjalë, amendamenti mundëson që forcat politike që kështu dëshirojnë, të garojnë me lista 100% të hapura, siç është aktualisht edhe për pak minuta. Por, më është thjeshtuar goxha puna nga sjellja që sapo pamë e kartonëve në këtë sallë, sepse siç iu thashë paradite, pazari është mbyllur, jo sot. Pazari është mbyllur me 12 shtator të vitit 2021 dhe ka përthithur brenda vetes, pazari i Edi Ramës me Sali Berishën, një nga një shumicën dërrmuese të deputetëve këtu në sallë.
Për të gjitha, pa diskutim. Edhe për kullat, edhe për oligarkët, edhe për mediat. Megjithatë, unë nuk e bëj këtë për asnjë motiv personal. Shifrat flasin vetë, ndaj… nuk e bëj sigurisht as për fatin tuaj personal, edhe pse një pjesë prej jush, kjo do të thotë t’ia fusni vetes dhe do ta hani keq. Dhe për shumëkënd, e keni ‘meritue’. Por në lojë është diçka më e madhe. Dhe këtë që po bëni sot, po çimentoni pushtetin personal të një njeriu të vetëm. S’ka rëndësi se si quhet, quhet Edi Rama. Po çimentoni pushtetin e tij personal, në bashkëpunim dhe me ndihmën e Sali Berishës, jeni nisur t’i dhuroni mandatin e katërt.
Dhe së dyti po tregoni që s’keni mësuar asgjë, ose që s’doni të mësoni asgjë. Ju kam paralajmëruar që të mos votoni amnistinë. Mos t’i besoni sharlatanëve, se po ju gënjejnë kur ju thoshin që nuk do të liroheshin të korruptuarit e Edi Ramës. Kështu është dhe e votuat.
Liruat, siç iu tha Dumani, 117 të korruptuar të Edi Ramës me votat tuaja. Mbajtët për turpin tuaj protestuesit e Partisë Demokratike. Pra u bëtë një me Ramën, më keq. Ai ka të korruptuarit e tij të paktën. Po ju pse i bashkuat votat me të?
Disa prej jush, thanë se votuat se nuk e dinit. Tani nuk ka më justifikim. Nuk ka më ‘nuk e dija’. Ndaj, ky është shansi i fundit që mos ta votoni këtë gërmadhë me shpresën se do të çukisni diçka edhe ju. Ky është me të vërtetë dhe prej ca kohësh fundi i Republikës. Është fillimi i një nate të zezë, ku politika ndalon së qeni një instrument për të ndryshuar gjërat për mirë dhe kthehet në një zgjedhë në duart e kryeministrit dhe ish-kryeministrit dhe oligarkëve të tyre. Dhe ju ktheheni në konkubinat e tyre, qenie të marra rob që paguheni për shërbimet tuaja. Me çfarë fytyre do i dilni përballë demokratëve që i premtuat se për gjashtë muaj do të hidhnit poshtë Edi Ramën?”, tha Basha.
Top Channel