Shuhen dy koncesione të Berishës! Shehaj debat me ministrin për koncesionet e Allajbeut: Pse i jepni TVSH nga xhepat e shqiptarëve?

25/07/2024 19:54

Gjatë një interpelance të thirrur nga deputeti Agron Shehaj në Parlament, ministri i Financave, Ervin Mete ka lajmëruar përfundimin e dy koncesioneve, për të cilat Ministria e Financave është autoriteti përgjegjës që nga koha kur qeveria drejtohej nga Sali Berisha.

Bëhet fjalë për markimin e karburantëve që ndikonte direkt në çmim dhe pullat fiskale që rriste kostot e biznesit.

“Për miratim nesër besoj se  pika e parë e rendit në seancë janë ndryshimet ligjore për te hequr koncensionarin nga dispozitat e ligjor të akcizave si dhe për të hequr “perogativat” e koncesionarit  nga ky ligj. Ky shërbim nga 1 janari 2025 do kalojë në menaxhim shtetëror dhe synimi ynë është në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohet me tarifa më të ulta se ato që aplikohen sot nga koncesionari dhe për të cilat ka pasur ankesa të vazhdueshme nga biznesi.  Në të njëjtën kohë në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit të karburanteve dhe shërbimi kalon te drejtoria e përgjithshme e doganave. Në momentin që ky shërbim do të përfundojë ne kemi vendosur që tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet pra nuk do të ketë vazhdim te aplikimit të tarifës së markimit te qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit”, tha ministri Ervin Mete.

Por pas këtij lajmi të mirë, kontratat koncesionare në Shëndetësi përplasën Ministrin e Financave me deputetin Agron Shehaj. Deputeti i opozitës, i kërkoi ministrit të bëjë transparancë mbi katër kontratat në shëndetësi, të cilat sipas deputetit Shehaj janë nën hetim nga SPAK-u. Dy prej kontratave, ajo e check up dhe sterilizimi janë nën hetim nga komisioni parlamentar, por dy të tjerat ajo e dializës dhe e laboratorëve, të lidhura me biznesmenin e Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu u përjashtuan nga hetimi parlamentar.

Referuar raportit të KLSH, Shehaj nënvizoi se Ministria e Financave paguan fatura TVSH-je për dy nga katër koncesionet e shëndetësisë, duke e cilësuar këtë si veprim të paligjshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA