“Irani mund të sulmojë delegacionin tonë në Lojërat Olimpike”, ministri i jashtëm izraelit paralajmëron homologun francez

25/07/2024 22:19

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz i dërgoi një letër homologut të tij francez Stéphane Séjourné duke e paralajmëruar për një komplot të mbështetur nga Irani.

Në letrën e ministrit izraelit, paralajmërohej se Irani ka gjasa të sulmojë delegacionin izraelit në Lojërat Olimpike që pritet të nisin zyrtarisht këtë të premte në Paris.

“Ka njerëz që kërkojnë të minojnë natyrën festive të kësaj ngjarjeje të gëzueshme”, thuhet në letrën e ministrit izraelit të zbardhur nga mediat vendase.

“Grupe militante pranë Iranit dhe organizatave të tjera terroriste synojnë të kryejnë sulme kundër anëtarëve të delegacionit izraelit dhe turistëve izraelitë gjatë Lojërave Olimpike”, theksohet ndër të tjera në letrën drejtuar autoriteteve franceze.

Një ceremoni e madhe e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit 2024 do të organizohet në brigjet e Senës të premten në mbrëmje, ndërkohë që autoritetet franceze arrestuan një 40-vjeçar rus, të cilit iu gjet një dokument i lidhur me një njësi elitare të forcave speciale ruse. Gazeta franceze, Le Monde, raportoi se shërbimet e inteligjencës kishin dëgjuar një telefonatë dy muaj më parë midis këtij personi dhe një punonjësi të shërbimeve të inteligjencës ruse, në të cilën i dyshuari kishte deklaruar se “francezët do të kenë një ceremoni hapjeje siç nuk ka pasur kurrë më parë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA