Banorët e Hamallaj të Durrësit u ankuan në Fiks Fare se derdhja e ujërave të zeza pranë shtëpive të tyre është kthyer në një problem prej vitesh dhe se nuk kanë gjetur zgjidhje në asnjë institucion në të cilin janë ankuar.
Ata tregojnë se ju është premtuar se do merren masa dhe se shumë shpejt do të ketë një ndërhyrje për rregullimin e tyre, por deri më tani nuk kanë bërë asnjë rregullim.
Banorët ku ndër ta kishte dhe të moshuar, thanë se aromat që shkaktohen nga derdhja e këtyre ujërave, kanë cenuar dhe shëndetin e tyre. Për mos folur edhe për temperaturat e larta.
Ata shprehën për Fiksin se janë të detyruar që të mbyllen në shtëpi vetëm nga ky problem, sidomos gjatë sezonit të verës ku sipas qytetarëve është kulmi i shpërthimit të tyre dhe aroma bëhet e padurueshme.
Përveç ankesave të njëpasnjëshme që ata kanë bërë pranë njësisë së tyre, ata gjithashtu i janë drejtuar këtij institucioni me kërkesë me shkrim dhe e kanë përcjellë nëpërmjet kryeplakut të zonës disa herë. Gazetarët e emisionit Fiks Fare u interesuan pranë Njësisë Administrative Sukth ku takuan administratorin e kësaj njësie, Edlir Cerri.
Cerri shprehet se nuk ka marrë asnjë ankesë lidhur me këtë problem, por më pas ai pohon se kjo ankesë është deleguar tek ai nëpërmjet kryeplakut të këtij fshati. Por nuk është marrë parasysh, pasi kjo kërkesë duhet të bëhej me shkrim.
Por përgjegjësi i arkivës në prani të administratorit e kundërshton se këto ankesa janë bërë madje edhe janë protokolluar. Madje u është thënë banorëve se në lidhje me zonën duhet një projekt për kanalizimet e ujërave të zeza.
Më pas, Cerri ndryshon qëndrim duke pranuar se janë bërë disa ankesa nga banorët dhe se nga ana e njësisë që ai drejton janë bërë disa kërkesa. Madje ai shtoi që ky do jetë një projekt i ri për vitin 2024 dhe se po presin një përgjigje.
Fiksi gjithashtu u interesua pranë Ujësjellës Kanalizime Durrës ku sqaron se nuk ka fonde për të ndërtuar një rrjet kanalizimesh, pasi zona është informale. Gjithashtu në përgjigjen e tyre thanë se kanë konstatuar që ndërhyrjet e paligjshme të banorëve kanë bllokuar kanalet kulluese.
UKD në përgjigje shpjegon se banorët duhet ta kishin zgjidhur me gropa septike. Përsa i përket UKD për këtë zonë, përgjigjet vetëm për furnizimin e ujit të pijshëm, duke i ‘larë duart’ nga përgjegjësia për trajtimin e ujërave të zeza. Dhe pse këto ujëra të zeza rrezikojnë jetën e banorëve, askush nuk mendon për zgjidhjen e tyre, por të gjithë mbledhin supet.
Top Channel