Presidenti amerikan Joe Biden priti të enjten Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë për bisedime që synojnë arritjen e një armëpushimi më të gjatë në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasit, që nga sulmi i militantëve palestinezë në Izrael më 7 tetor.
Takimi pason fjalimin e Kryeministrit Netanyahu të mërkurën përpara Kongresit amerikan, ku ai mbrojti luftën e vendit të tij kundër Hamasit dhe fjalimin e Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë mbi vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara presidenciale.
Dy udhëheqësit ishin të prerë dhe të shkurtër në komentet e tyre përpara fillimit të takimit të tyre privat. Një ditë më parë, një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se ata po përpunonin detajet e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, “që ne besojmë se është në fazat e mbylljes”.
“Mirë se erdhe përsëri, zoti Kryeministër”, tha Presidenti Biden të enjten. “Kemi shumë për të folur, ndoshta duhet të fillojmë menjëherë.”
“Nga një zionist krenar hebre tek një zionist krenar irlandezo-amerikan, dua t’ju falënderoj për 50 vitet e shërbimit tuaj për publikun amerikan dhe 50 vitet e mbështetjes për shtetin e Izraelit”, u përgjigj Kryeministri Netanyahu. “Jam i gatshëm të diskutoj me ju sot dhe të punoj me ju në muajt në vijim për çështjet e mëdha dhe me rëndësi.”
Kryeministri Netanyahu do të takohet më vonë të enjten me Nënpresidenten Kamala Harris dhe të premten me ish-presidentin Donald Trump, kandidatin republikan për president në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti.
Një zyrtar i lartë i administratës të mërkurën u tha gazetarëve se takimi i Shtëpisë së Bardhë do të përfshijë diskutimet mbi kërcënimet ndaj Izraelit nga grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme si Hamasi, Hezbollahu në Liban dhe militantët Houthi të Jemenit.
Përveç situatës humanitare në Rripin e Gazës, në axhendën e takimit janë edhe përpjekjet për të siguruar një marrëveshje armëpushimi, që do të ndërpriste luftimet, do të siguronte lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gazë, lirimin e disa të burgosurve palestinezë nga Izraeli dhe rritjen e ndihmave humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës.
Shtetet e Bashkuara kanë punuar me Egjiptin dhe Katarin si ndërmjetësues në bisedimet e armëpushimit, të cilat kanë zgjatur prej muajsh mes kërkesave konkurruese nga Izraeli dhe Hamasi.
Zyrtari tha se ekziston një kornizë për fazën e parë të një marrëveshjeje me tre faza dhe se Shtetet e Bashkuara presin “shumë aktivitet gjatë javës së ardhshme” ndërsa negociatorët përpiqen të nënshkruajnë një marrëveshje.
Top Channel