Të gjashtë të hetuarit tanimë nga SPAK, për skandalin e Onkologjikut kërkuan shfuqizim të masave që kishte vendosur gjykata e Tiranës, por kërkesa e tyre u refuzua prej gjyqtarit antikorrupsion.
Personi i shtatë nën hetim, nuk u përball me dyshimet e prokurorisë mbasi jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mjeku onkolog Edmond Gashi kërkoi t’i hiqej masa e arrestit shtëpiak dhe për ta mbështetur këtë qëndrim paraqiti kartelat e 50 pacientëve me tumor, që sipas tij duhet ti trajtojë. Por ai do të vazhdojë të qëndrojë nën arrest shtëpie njëlloj si farmacisti Florian Marku.
Ndërsa kanë detyrimin për tu paraqitur para oficerëve mjekja Alketa Pere, që deklaroi se ende nuk e kuptonte se ku e kishte shkelur ligjin.
Bazuar në hetimin e prokurorisë së Tiranës, SPAK thotë se ka dyshime që përmes kordinatorit Emiljano Lela, mjekët siguronin pacientë në spitalin shtetëror, të cilët përcilleshin në klinikën private të Gashit, nën administrim e të atit. Veç kësaj dyshohet se u kontrabanduan medikamente dhe se pacientëve me tumor nuk ju garantua trajtim mjekësor.
megjithatë SPAK tanimë i takon të provojë se si bashkëpunuan secili nga të dyshuarit, për të gjetur paciente e për t’i përcjellë në klinikën private dhe se si u krye kontrabanda.
Top Channel