Është mbledhur komiteti i Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave me përfaqësues nga shumë institucione shtetërore, ministri dhe agjenci që luftojnë pastrimin e parave.
Zv/kryeministrja Belinda Balluku gjatë fjalës së saj tha se do të miratohet strategjia kombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit për vitet 2024 -2030.
Ndërkohë Shqipëria po përgatitet për të marrë një tjetër vlerësim nga MONEYVAL në kuadër të raundit të 6-të të vlerësimit për vitet 2025-2026.
Balluku: “Në zbatim të detyrave të lëna nga Komiteti, është i nevojshëm angazhimi i vazhdueshëm i institucioneve që Ju drejtoni për realizimin e planeve të veprimit që janë pjesë e vlerësimit të MONEYVAL dhe të vlerësimit nga Komisioni Evropian, por edhe sigurisht për përfitimin e grantit i cili na akordohet në kuadër të planit të rritjes.
Nga ana tjetër, duke qenë se Shqipëria do ti nënshtrohet procesit të vlerësimit nga Komiteti MONEYVAL gjatë vitit 2025-2026, puna parapërgatitore që po ndërmerret nga të gjitha institucionet do të shërbejë për të mundësuar marrjen e një vlerësimi pozitiv.
Është me rëndësi të veçantë, që të gjitha institucionet që Ju drejtoni të angazhohen me përkushtim maksimal për të përmbushur të gjitha kërkesat në mënyrë që vlerësimi i radhës së MONEYVAL për Shqipërinë të ruaj trendin pozitiv të vlerësimit që tashmë e kemi konsoliduar.”
Balluku theksoi se një nga arritjet më të madha të luftës kundër pastrimit të parave është nxjerra e Shqipërisë nga lista gri.
Top Channel