Rreth 200,000 fëmijë, të rinj dhe të rritur kanë pësuar abuzime gjatë 70 viteve të fundit, ndërsa ndodheshin ne kujdesin shtetëror dhe besimin në Zelandën e Re.
Këto janë të dhënat e një hetimi bërë publik se fundmi. Kjo do të thotë se pothuajse një në tre fëmijë në përkujdesje nga viti 1950 deri në vitin 2019 ka pësuar një formë abuzimi, duke përfshirë përdhunim, elektroshok, punë të detyruar, sipas Komisionit Mbretëror të Hetimit “Abuse in Care”.
Publikimi i raportit përfundimtar vjen pas një hetimi gjashtëvjeçar mbi përvojat e afro 3000 njerëzve. Shumë nga këta njerëz kanë ardhur nga komunitete të pafavorizuara ose të margjinalizuara, duke përfshirë njerëzit Maori dhe fiset që banojnë në Paqësor, si dhe ata me aftësi të kufizuara.
Raporti zbuloi se të mbijetuarit Maori duruan nivele më të larta të abuzimit fizik dhe shpesh ishin “të degraduar për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe ngjyrës së lëkurës”.
Ai zbuloi gjithashtu se fëmijët dhe njerëzit në kujdestari përjetuan nivelet më të larta të abuzimit seksual midis mjediseve të ndryshme të kujdesit për mirëqenien sociale.
“Është një turp kombëtar që qindra mijëra fëmijë, u abuzuan nën kujdesin e shtetit dhe institucioneve”, thuhet në raport.
Kryeministri i vendit Christopher Luxon e quajti atë një “ditë të errët dhe të trishtuar në historinë e Zelandës së Re si shoqëri”, duke thënë se “ne duhet të kishim bërë më mirë dhe unë jam i vendosur se do ta bëjmë këtë”.
Ai shtoi se ishte shumë herët për të zbuluar se sa qeveria priste t’i paguante viktimave si kompensim.
Top Channel